Gjithsej 140 raste me koronavirus janë regjistruar në Kosovë deri të dielen pasdite, 23 prej të cilëve janë shëruar, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë. Ndërkohë, 36 pacientë janë të shtrirë në Klinikën Infektive, pesë prej të cilëve në gjendje të rëndë, teksa tre po trajtohen në kujdesin intensiv. Të tjerët ndërkaq ndodhen në vetizolim në shtëpitë e tyre.
Infektologu Valbon Krasniqi ka thënë së gjatë së dieles priten rezultatet edhe për gjashtë të dyshuar me koronavirus. Ndërkohë, ai ka shtuar se fundi i javës së parë dhe java e dytë e muajit prill mund të jenë vendimtare.
Krasniqi ka folur për ksp rreth gjendjes së pacientëve të shtrirë në Infektivë. Ai ka treguar se një pacient po vazhdon të qëndrojë i lidhur me aparatin respirator.
“Për momentin kemi 36 pacientë të shtrirë në Klinikë që janë të konfirmuar me koronavirus. Ndërkohë, kemi edhe gjashtë tjerë që do të lirohen gjatë ditës, ata të cilët dje rezultuan negativ, për herë të dytë, dhe tash konsiderohen si të shëndoshë. Vlen të theksohet megjithatë se pesë pacientë nga këta që janë të shtrirë janë në gjendje më të rëndë, tre prej tyre janë në kujdes intensiv të klinikës sonë, dhe njëri prej tyre është i intubuar, i lidhur për aparatin respirator, ndërkohë që gjendja e pacientëve të tjerë paraqitet e mirë dhe është stabile”, ka thënë ai.
Krasniqi po ashtu ka thënë se gjatë ditës priten rezultatet edhe për gjashtë persona, të dyshuar me COVID-19.
“Gjatë orëve të pasdites mbrëmë dhe në orët e paradites sot, kemi gjashtë pacientë që presin rezultatet për ditën e sotme, ndërkohë mund të jenë pranuar edhe persona të tjerë gjatë paradites. Kështu që ky numër ndryshon nga çasti në çast dhe nuk është se mund të bazohemi shumë. Por, kur të kemi rezultatet në mbrëmje, atëherë mund të flasim për rezultatet”, ka thënë Krasniqi.
Ai po ashtu ka shtuar se fundi i javës së parë dhe java e dytë e muajit prill mund të jenë vendimtare. Megjithatë, sipas tij, gjithçka varet nga ajo se sa janë respektuar deri më tani masat nga ana e qytetarëve.
“Në bazë të asaj që po shohim me numrin e të infektuarve që po paraqiten brenda ditës, me shkallën e epidemisë në nivel vendi, duket që janë respektuar në masë të madhe nga ana e qytetarëve rekomandimet e dhëna nga institucionet tona. Megjithatë një pasqyrë më të qartë për respektimin apo jo të këtyre masave presim ta kemi në ditët në vijim dhe para se gjithash ka fundi i javës së dytë të muajit prill, nga gjysma e prillit e tutje. Atëherë do të varet krejtësisht se a do të kemi fluks të madh të pacientëve apo jo, nga mënyra dhe nga masa se sa janë respektuar këto rekomandime nga ana e qytetarëve”, ka thënë Krasniqi.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.