Transferimi i 820.000 eurove nga kategoria e shpenzimeve e subvencioneve, me vendim të sotëm të Qeverisë së Kosovës, tek ajo e shpenzimeve të mallrave dhe shërbimeve për luftimin e Covid-19, nuk prek pagat e specializantëve vullnetarë.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë sipas së cilës pjesa e mjeteve në vlerë prej 820 mijë euro ka qenë e planifikuar për kontraktime sociale për mbështetje të OJQ-ve për projektet TBC, HIV-AIDS ku nga CDF edhe për këtë vit është marrë zotimi që këto projekte të vazhdojnë të financohen nga CDF.
“Pasi që këto mjete nuk do të mund të shfrytëzohen këtë vit nga Ministria e Shëndetësisë, është kërkuar që qeveria t’i transferojë për shfrytëzim për COVID- 19”, thuhet në komunikatë.
Ministria e Shëndetësisë thotë se pagat e specializantëve vullnetarë, përveç që janë të paprekshme, për to është paraparë edhe rritja nëse Ligji për pagat hyn në fuqi.
Mjetet e planifikuara për këtë vit në subvencione dhe transfere janë në bazë të Ligjit për ndarje buxhetore 2020 dhe kapin vlerën 3 milionë e 313 mijë e 805 euro të cilat ndër të tjera përfshijnë pagat e specializantëve vullnetarë, projekte e tjera të planifikuara në bazë të Ligjit të Buxhetit dhe kontraktimet sociale.