Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, thotë se Bashkimi Evropian nuk ka arritur të realizojë ende premtimin e vet për t’i dhënë popullit të Kosovës liberalizimin e vizave. Osmani thekson se BE duhet të mbajë premtimin, meqë sipas tij 2 milionë kosovarët kanë mbetur larg nga pjesa tjetër e Evropës.
Kështu është shprehur ajo gjatë mbajtjes së punimeve online të Sesionit Plenar të SEECP, e cila ishte nën udhëheqjen e saj.
“Për të gjithë përparimin e bërë, megjithatë Bashkimi Evropian nuk ka arritur të realizojë premtimin e vet për t’i dhënë popullit të Kosovës liberalizimin e vizave të vonuara. Akoma deri më sot pavarësisht nga të gjitha përpjekjet tona dhe arritjet e njohura, 2 milion kosovarë, një nga popujt më pro evropianë, kanë mbetur larg nga pjesa tjetër e Evropës. Sigurisht, më lejoni të përfundoj duke përsëritur thirrjen tonë, jo vetëm thirrjen e institucioneve por thirrjen e të gjithë njerëzve të Kosovës që Bashkimi Evropian duhet të mbajë premtimin e tij për liberalizimin e vizave për popullin e Kosovës”, ka deklaruar Osmani.
Sipas saj pandemia ka shkatërruar dinamikën ekonomike dhe ka ulur ashpër furnizimin. Për këtë ajo theksoi se objektivë e këtij sesioni plenar është përmirësimi i bashkëpunimit politik, ekonomik dhe i sigurisë.
Osmani ndër të tjera ka shprehur ngushëllime për të gjitha viktimat që janë shënuar gjatë kësaj kohe si shkak i pandemisë Covid-19.
“Muajt e kaluar kanë qenë shumë të vështirë për të gjithë ne, shumë nga njerëzit tanë kanë humbur të dashurit e tyre nga ky virus, disa ende luftojnë për jetën e tyre në spitale, dhe një numër i madh i njerëzve kanë vështirësi për t’i përmbushur nevojat e tyre , kështu që ju lutem bashkohuni me mua sot këtu për të shprehur ngushëllime për të gjitha viktimat dhe duke u lutur që ata që janë në gjendje kritike do të shërohen”, theksoi ajo.
Veç tjerash ajo ka theksuar edhe solidaritetin evropian që sipas saj ka qenë i rëndësishëm në këtë kohë. Për këtë ajo konsideroi se BE është një partner i besueshëm për Kosovën.
Osmani ndër të tjera tha se po punojnë shumë që të jenë anëtar të NATO-s.
“Kohëve të fundit, BE ka bërë përparime të mëdha në procesin e zgjerimit, më 25 mars anëtarët e Këshillit Evropian ranë dakord të hapnin negociatat për anëtarësimin në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore që ishte një lajm i shkëlqyeshëm për rajonin tonë. Vendimi i 25 Marsit, për hapjen e negociatave erdhi si një lehtësim i madh për të gjithë ne, pasi përsëriti angazhimin e BE-së për procesin e zgjerimit. Rastësisht, ne thjesht hasëm edhe me një tjetër moment historik pasi Maqedonia e Veriut iu bashkua NATO-s. NATO ka qenë një komponent thelbësor i paqes dhe sigurisë që rajoni ynë ka gëzuar në dekada dhe ne jemi të kënaqur pasi gjithnjë e më shumë vende nga rajoni ynë bashkohen me këtë organizatë të kombeve që duan paqen, ndërsa ne në Kosovë po punojmë shumë për t’u bërë anëtari i ardhshëm”, tha ajo.