26/11/2020

Deliu-Kodra i quan poshtëruese skenat e arrestimeve të djeshme

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar pas arrestimeve të djeshme nga ana e EULEX.

Deliu thotë se Kosova gjithmonë ka bashkëpunuar me drejtësinë ndërkombëtare dhe se mënyra e arrestimeve të djeshmne ishte poshtëruese.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar luftë të drejtë dhe të shenjtë për të realizu të drejtën jetike – lirinë. Ushtarët e saj janë luftëtarë të lirisë dhe nuk guxojnë të trajtohen sikur kriminelët vrasës të kësaj lirie, të cilët vetëm zvarrë mund t’i vendosje përballë drejtësisë.

Kosova gjithmonë ka bashkëpunuar me drejtësinë ndërkombëtare dhe ka shërbyer si shembull. Prandaj, edhe EULEX-i si zbatues i urdhrave të Gjykatës Speciale është i familjarizuar tashmë me këtë fakt. Veprimet e fundit me rastin e arrestimeve të ish-ushtarëve të UÇK-së, të cilat krijojnë përshtypjen e një operacioni në një vend armiqësor janë të papranueshme dhe deformuese të realitetit faktik.

Ish-ushtarët e UÇK-së kanë dëshmuar se me qetësinë më të madhe u janë përgjigjur ftesave nga cilido organ i drejtësisë ndërkombëtare, por është i papranueshëm trajtimi poshtërues e krahasues me kriminelët e fshehur skutave e të maskuar nga drejtësia ndërkombëtare.

Veteranët qenë në zyret e veta dhe ka mjaftuar një ftesë për të evituar gjithë këto skena poshtërimi, të cilat natyrshëm mund të nxisin tensione të panevojshme.

Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj ndaj drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa zbatuesit e kësaj drejtësie duhet të dëshmojnë sjellje profesionale ndaj të gjithë të akuzuarëve.

Kosova nuk ka çfarë të fsheh nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare, por ka shumë çfarë të mbrojë, e mbi të gjitha – dinjitetin e luftëtarit të lirisë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *