Qe disa javë Ministria e Shëndetësisë ka lejuar që edhe laboratoret private të kryejnë testet për Covid-19, mirëpo çmimi në disa nga to është i papërballueshëm, duke shkuar në 200 euro. Kjo gjë ka shqetësuar opinionin e gjerë, derisa vetë ministria ka deklaruar se nuk është përgjegjës për çmimet në këto laboratorë, duke adresuar çështjen te Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, shkruan Gazeta Metro.Në këto laboratore private shumica e testimeve për koronavirus bëhen në mënyrë serologjike, ndërsa në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës praktikohet RT-PCR. Metro ka konkatuar me Autoritetin Kosovar të Konkurrencës për çmimet e larta të këtyre testimeve në laboratoret private, në përgjigjen e të cilëve sqaruan se janë duke monitoruar të gjitha këto laboratore të cilat janë të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë.
“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është duke monitoruar sjelljen e laboratorëve të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë për ofrimin e testimeve për virusin SARS-Cov-2. Kjo nënkupton që ne jemi duke grumbulluar të dhëna nga laboratorët si dhe institucionet shtetërore. Në këtë kontekst, gjatë kësaj kohe, kemi gëzuar bashkëpunim të mirë me laboratorët të cilët kanë ofruar të dhëna tek AKK”, thuhet në përgjigjen e AKK’së për Metron.
Ditë më parë një qytetar i Kosovës ka njoftuar se ka paguar 200 euro testin për Covid-19, në laboratorin “Medical & Laboratory Services” i cili gjendet në Prishtinë e që është i vetmi laborator privat në mbarë Kosovën që aktualisht bën detektimin molekular të koronavirusit.Nga ky institucion bëjnë me dije se janë pranuar me dhjetëra ankesa nga qytetarët për vlerën e shërbimeve prej 200 euro për një test të Covidit me metodën PCR.Ndërsa, nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës i thanë Metros, se pas këtij raportimi nëpër media, ky institucion ka kërkuar menjëherë dhe ka siguruar të dhënat nga laboratori në fjalë.
“Sa i përket ankesave nga qytetarët, që kryesisht kanë ardhur pas raportimeve se një laborator është duke ofruar shërbimin me çmim prej 200 eurosh, AKK ka kërkuar menjëherë dhe ka siguruar të dhënat nga laboratori në fjalë dhe sapo të përfundojnë analizat rreth kësaj çështje do t’iu njoftojmë”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Kujtojmë, që Ministria e Shëndetësisë deri tani ka licencuar 98 laboratorë private në Kosovë.Laboratorët privatë për kryerje të testeve molekulare të licencuara janë një në Prishtinë dhe një në Lipjan. Ndërsa, ato serologjike, janë një në Prishtinë, një në Prizren dhe një në Suharekë, Deçan, Pejë.Në anën tjetër, aktualisht në Kosovë që nga 13 marsi kur edhe u paraqitën dy rastet e para të të infektuarve me COVID-19, numri i të prekurve nga ky virus ka shkuar në 13 mijë e 713.Nga të dhënat e Institut Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), 539 persona kanë vdekur shkak i infektimit me virusin korona. Ndërsa, janë 9 mijë e 923 persona që kanë arritur ta mposhtin këtë virus vdekjeprurës.Derisa, 3 mijë e 251 raste aktive me COVID-19 janë në Kosovë./gazetametro.net



