63 euro për 300 gramë biftek irlandez, 46 euro për verë…. Darka, verëra e bakshishe: Kaq u paguan për tri udhëtime të Skënder Hysenit për dialogun
Mbi 6 mijë e 800 euro i kanë kushtuar buxhetit të Kosovës tri udhëtime të koordinatorit shtetëror për dialogun enigmatik me Serbinë, Skënder Hyseni, dhe stafit të tij. Rreth gjysma e tyre apo 3 mijë e 66 euro u shpenzuan për udhëtimin e Hysenit në Amerikë javën e parë të gushtit. Prej tyre 1 mijë e 290 për biletë, 659 euro për akomodim e 540 euro për dreka e darka.
Njëra prej darkave të Hysenit, sipas faturave të siguruara përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, kap shifrën 311 dollarë. Në restorantin ku ai qëndroi për darkë, përveç 261 dollarëve sa i ka kushtuar darka, Hyseni me para të taksapaguesve la bakshish 50 dollarë.