LAJME

A janë “pajtuar” LDK e AAK: Tahiri publikon disa fotografi me Hotin nga diskutimet “përmbajtësore”

Për disa ditë radhazi janë komentuar përçarjet në mes LDK’së e AAK’së. Mirëpo zëvendëskryeministri Besnik Tahiri ka publikuar disa foto me Kryeministrin Avdullah Hoti, në një takim të rëndësishëm siç e ka quajtur ai, shkruan Gazeta Metro.

Tahiri sot përmes rrjetit social Facebook, publikoi disa foto nga takimi i tij me Hotin, me të cilin tha se pati një diskutim shumë përmbajtësor.

“Në vazhdën e bashkërendimit të agjendës qeveritare, sot bashkë me kryeministrin z. Avdullah Hoti patëm takim pune dhe diskutim përmbajtësor për temat me rëndësi prioritare shtetërore.”, ka shkruar ai krahas fotografive.

Mirëpo, takime kaq përmbajtësore nuk kanë pasur vazhdimisht shefat e tyre të partive, Ramush Haradinaj e Isa Mustafa.

Këta të dy ditëve të fundit i kanë dërguar mesazhe njëri-tjetrit në publik, përmes së cilave është parë se marrëdhëniet nuk i kanë edhe aq mirë, shkruan Gazeta Metro.

Ka qenë Haradinaj ai i cili kërcënoi me largim nga koalicioni qeverisës, nëse nuk i jepet pozita për President, për të cilën ditë më parë e shpalli kandidaturën edhe zyrtarisht.

Mustafa në anën tjetër, dje përmes një postimi publikisht la të kuptojë se mund të bëhen konfigurime të reja në Qeveri, pa ata që nuk pajtohen me vendimet që po merren, në këtë rast Haradinajn./gazetametro.net

LEAVE A RESPONSE