Shkruan: Fadil Lepaja
Kush e ka shpatën, për të prerë nyjën gordiane të quajtur “çështja e Kosovës”? Kush (nuk) do dhe kush (nuk) mundet të përmbyll një konflikt të gjatë mbi një shekull, i cili mori dhjetëra mijëra jetë njerëzish, kryesisht shqiptarësh, dhe shpërnguli qindra mijëra të tjerë në Azi të Vogël, apo nëpër mërgatën e pafund shqiptare anekënd globit, nga Alaska në Zelandë të Re? Kush do dhe kush nuk do të mbyllet konflikti? Kush (nuk) janë çunat problematikë?
“We are not problematic guys“, deklaroi presidenti Thaçi në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë, më 25 gusht 2018, duke dashur të sqaronte se ai dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, po tentonin të arrinin një marrëveshje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë. Pra, në storjen e dialogut, ai dhe Vuçiqi janë djemtë e mirë, tërë kohën shihen duke biseduar kokë më kokë dhe me dorën para gojës për të mos lexuar askush as nga buzët e tyre paragrafët e marrëveshjes sekrete, e cila po përflitet nëpër debate dhe foltore publike.
Edhe njëzet vjet pas lufte, paqja nuk duket afër as pas një dekade dialogu të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ende nuk janë gjetur dhe kthyer të vrarët, as nuk janë varrosur viktimat civile të luftës. Gati askush nuk ka dhënë përgjegjësi për mbi 13 mijë civilë të vrarë dhe të zhdukur në këtë vend, ku përpos një ushtrie pushtuese, për t’i dhënë fund luftës u përfshi edhe koalicioni më i fuqishëm ushtarak i globit, duke bombarduar caqet ushtarake serbe, në Kosovë dhe në Serbi. Kështu, kjo çështje mori përmasat e një (mos)marrëveshjeje ndërkombëtare në mes dy entiteteve politike të ish-Jugosllavisë, dhe në mes dy popujve fqinjë të Ballkanit Perëndimorë, duke implikuar kështu shumë faktorë të jashtëm.
Pra, djemtë joproblemtatikë ishin deklaruar, në Alpbach të Austrisë, më 25 gusht 2018, se po punonin për një marrëveshje e cila përflitej në publik si marrëveshje sekrete për shkëmbime territoriale, apo për korrigjim kufijsh. Përfundimisht, kaosi i krijuar politik në Kosovë, përpos pandemisë së Covid-19-shit, duket të jetë shkaktuar pikërisht nga lobimi i suksesshëm në Uashington i “djemve joproblematikë” Thaçi-Vuçiq dhe me shumë gjasë përkrahur fuqishëm edhe nga Moska, Ankaraja dhe ndonjë kryeqendër tjetër politike ndërkombëtare.
Pasojat e pandemisë dhe të tendencës për të futur gjendjen e jashtëzakonshme, me pasoja të paparashikueshme politike, tashmë i kemi parë ndërkohë që lufta për të mposhtur koronavirusin dhe marrëveshjen për kufijtë po vazhdon, jo vetëm nëpër Kosovën po edhe nëpër mediat tona problematike, duke ngujuar kështu dyfish publikun i cili sado që dëshiron nuk arrin të ikë dhe fshihet nëpër kanalet e shumta televizive apo nëpër rrjet. Ku të ikësh nga politika dhe gazetarët tanë grindavecë të cilët shpojnë veshtë me zërin e lartë dhe arsyen e ultë.
Të kthehemi te titulli. Dy debate të ndara, së fundmi trazuan qetësinë epike të qytetarëve përballë sfidave shëndetësore dhe politike, vendore dhe globale. Kemi mbetur të izoluar në karantinë, pa qeveri të zgjedhur, të rrëzuar përmes një konspiracioni i cili mblodhi 82 vota, në një votim parlamentar ku të gjithë kundërshtarët e “ndryshimeve” në këtë vend u bënë bashkë nën flamurin e pro-amerikanizmit të sforcuar.
Derisa Shkëlzen Gashi, tashmë ish-këshilltar politik i kryeministrit në detyrë të Kosovës, e turbulloi ujin me deklaratën e tij për problemin faktik të 1000 civilëve serbë të zhdukur, dhe interpretimin e tij subjektiv për fajësinë “tonë”, këshilltari i kryeministrit Rama bëri skandal tjetër, duke u shprehur se pas 20 vjetësh duhen amnistuar kryesit e krimeve të luftës në Serbi dhe në Kosovë, se duhet shuar Gjykata Speciale për krimet e luftës dhe, së fundi, se duhet kthyer Serbisë tokat të cilat ajo na i paska falë dikur. Natyrisht, ky është pak a shumë kuptimi i përmbledhur i urtisë politike të njeriut të cilit tashmë nuk i dihet më profesioni primar.
Sido që të jetë, përpos dallimeve ka edhe ngjashmëri në deklaratat e tyre. Që të dy flasin për probleme ekzistuese të cilat nuk mund të anashkalohen, që janë viktimat civile të luftës, në pjesën më të madhe shqiptare, ndoshta proporcionalisht me numrin e popullsisë në Kosovë, edhe ato serbe. Si duket, këshilltarët vetëm e nxorën në publikë thelbin e problemit, atë se klasa politike e Kosovës dhe Serbisë janë të shqetësuar dhe të pasigurt lidhur zbardhjen dhe gjykimin për vrasjet e civilëve gjatë dhe pas luftës. Deklarimi i njërit se duhet të përgjigjen fajtorët, qofshin ata edhe zyrtarë të ish-UÇK-së apo deklarimi i tjetrit se fajtorët do të duhej të amnistohen, e ka sjellë në konfuzion në mendjen kolektive të kosovarëve dhe jo vetëm të atyre.
Nëse ndjekim logjikën e Shkëlzen Gashit, krimet duhen zbardhur dhe të gjithë kryesit e krimeve duhen arrestuar dhe gjykuar, pa marrë parasysh për kë është fjala, duke e liruar kështu edhe skenën politike nga kriminelët. Nëse ndjekim logjikën e Baton Haxhiut, mësojmë se pas 20 vjetëve krimet e luftës janë vjetruar, se kriminelët duhet amnistuar. Ai na mëson se është fat se liderët në Kosovë dhe Serbi janë historikë dhe mund të bëjnë zgjidhje historike, pra edhe të mbyllin konfliktin shekullor, prandaj duhen liruar nga çdo përgjegjësi.
Sidoqoftë, qytetarët janë të mbyllur në karantinë dhe nuk mund të vlerësojnë dhe të vendosin lidhur me këtë dilemë, të falen apo jo krimet e luftës, të ndërrohet apo jo klasa politike që po mbahet peng nga ky proces. Lidhur me këtë, me shumë gjasë, në mënyrë indirekte, në vend të qytetarëve do të vendosë Gjykata Kushtetuese. Sidoqoftë, edhe qytetarët kanë mundësi të deklarohen, ashtu sikur deklaroheshin viteve të ‘90-ta në ish-jugosllavi, pra duke bërë protestë me kusi e me tepsi, me tenxhere e me fërtere!
Tenxheret dhe fërteret e sollën NATO-n! Të shohim çfarë do të sjellin tani…