LAJME

Abdixhiku dhe Quni pritet të mos jenë ministra në Qeverinë e Hotit?!

Emri i ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, është përmendur të jetë pjesë edhe e kabinetit të qeverisë Hoti.

Por siç ka mësuar media, Abdixhiku, nuk po pranon të marrë post në qeverinë e mundshme LDK-AAK-NISMA-Pakicat.

Vendimin që të mos jetë pjesë e kësaj qeverie Abdixhiku ia ka bërë të ditur LDK-së, në mbledhjen e kryesisë së partisë.

“Abdixhiku dje në mbledhje të kryesisë e ka bërë të ditur që nuk e ka në plan të jetë pjesë e kësaj qeverie”, ka thënë ky burim.

Abdixhiku ka qene kundërshtar i Qeverisë PAN.

Media ka tentuar ta kontaktojë Abdixhikun por nuk ka arritur. Sipas burimeve, në mbledhjen e djeshme pakënaqësi për këtë koalicion kanë pasur edhe Gazmend Muhaxheri, Imri Ahmeti dhe Anton Quni.

Ditë më parë burime të Gazetës Insajderi, kanë bërë me dije se të propozuarit për ministra në këtë qeveri, janë: Vlora Dumoshi do të vazhdojë të udhëheq Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Agim Veliu do të vazhdojë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Lumir Abdixhiku do të kalojë në Ministrinë e Financave dhe Transfereve, Arban Abrashi do të zë vendin e Abdixhikut në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit, Hykmete Bajrami do të emërohet zëvendëskryeministre dhe Armend Zemaj do të jetë ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Përveç LDK-së, edhe në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, janë propozuar emrat e ministrave dhe zëvendëskryeministrit.

Burime të Gazetës Insajderi, kanë treguar se AAK-ja në këtë Qeveri do të ketë 4 ministra dhe një zëvendës kryeministër.

Ministra nga AAK-ja do të jenë Ramë Likaj, Blerim Kuçi, Selim Selimi dhe Meliza Haradinaj , ndërsa zëvendëskryeministër do të jetë Besnik Tahiri.

LEAVE A RESPONSE