LAJME

Alaj-Kalanderi: 74 për qind e qytetarëve të përshtatshëm për përfitimin e Ndihmës Juridike Falas

Drejtoresha ekzekutive e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, Anita Alaj-Kalanderi, në “Express Intervistën” në KTV ka thënë se 74 për qind e qytetarëve janë të përshtatshëm për përfitimin e kësaj ndihme juridike.

E këto shërbime tani po i ofrojnë edhe online shkaku i pandemisë Covid-19.

Ajo thotë se numri i kërkesave nuk është shumë i madh, krahasim me kërkesat që kanë në gjendje normale.

“Deri tani kemi mbi 230 kërkesa, dhe zyrtarët tanë punojnë në 21 komuna të ndryshme. Zyrtarët tanë janë në kontakt me palët për ato raste që kanë qenë në procedurë. Aktualisht po ofrojnë këshilla përmes emailave dhe telefonatave, kurse gjatë javës do të ketë edhe shërbim online përmes një platforme. Kemi raste për çështje pronësore, e edhe për rastet e viktimave të dhunës. Ka natyra të llojllojshme”, ka thënë Alaj-Kalanderi.

Ajo thotë se përveç buxhetit që ka Agjencia, është edhe USAID-i e GIZ-i ato që japin mbështetje financiare.

“Përveç buxhetit, kemi mbështetje edhe nga USAID-i dhe GIZ-i, kështu që buxheti që ka Agjencia nuk është shumë i mjaftueshëm, por falë donatorëve po ia dalim të funksionojmë edhe në këtë kohë. Është hendikep i madh se qytetarët nuk janë shumë të njoftuar për shërbimet që ne i ofrojmë. Jemi në përpjekje që të kemi kampanja vetëdijesuese, sepse është institucion që ia vlen të shikohet për ata që s’kanë mundësi të paguajnë avokatë”, ka thënë Alaj-Kalanderi.

Alaj-Kalanderi shton se në përputhje me kriteret atëherë qytetarët përfitojnë nga këto shërbime falas.

Ajo ka thënë se ekziston rreziku që të mbyllen disa zyre të tyre, e për këtë ka kërkuar ndihmën e Qeverisë.

“Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, bën edhe hartimin e shkresave. Zyrtarët tanë e zgjedhin avokatin. Do të doja që Qeveria të na mbështeste në qëndrimin e këtyre zyrave, sepse nëse vjen deri te mbyllja e tyre atëherë do të ishte një dëm i madh, sidomos për qytetarët”, ka thënë ajo.

Alaj-Kalanderi ka treguar kriteret që ndërmerret që qytetarët të kualifikohen për të marrë këto shërbime falas.

“Faktikisht janë tri kritere që i parasheh ligji: kriteri juridik, financiar dhe kualifikues. Te kriteri kualifikues hyjnë të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës, veç personave që janë me qëndrim të përkohshëm në vendin tonë. Kriteri financiar, ofrohet ndihma juridike primare dhe sekondare. Në ndihmën juridike primare hyjnë të gjitha rastet që janë përfitues të ndihmës sociale, kurse në atë sekondare hyjnë ata persona që nuk realizojnë të ardhura më shumë se personat me të ardhurat mesatare të përcaktuara në Kosovë. Qytetarët kanë nevojë shumë për këto shërbime, e një raport tregon se 74 për qind e qytetarëve janë të përshtatshëm për përfitimin e Shërbimeve të Ndihmës Juridike Falas”, është shprehur Alaj-Kalanderi.

Që nga koha e themelimit të Agjencisë e deri më tani, Alaj-Kalanderi thotë se janë procesuar afërsisht mbi 50 mijë raste. Por, ky numër, sipas saj, karshi nevojës ende është i vogël.

“Ndihma juridike ofrohet në lëmin civile, penale, administrative dhe kundërvajtëse. Ne jemi të punësuar 28 shërbyes civilë, dhe tetë punëtorë të cilët janë të angazhuar nga projekti i GIZ-it, rrezikshmëria është vetëm për këta punëtorë nëse nuk ka ndihmë nga Qeveria”, ka thënë ajo.

LEAVE A RESPONSE