Ambasada e Kosovës në Gjermani ka dhënë disa informacione të rëndësishme aktuale për udhëtimet nga Kosova për në Gjermani në këtë kohë pandemie, raporton Express. Përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook, Ambasada ka bërë me dije se të gjithë ata që udhëtojnë për në Gjermani dhe brenda 14 ditëve para udhëtimit kanë qëndruar në Kosovë apo ndonjë vend tjetër që konsiderohet me rrezikshmëri të lartë, janë të detyruar që pas hyrjes të vendosen drejtëpërdrejtë në vendbanimin/destinacionin e tyre në Gjermani. Menjëherë pas hyrjes në Gjermani, ata duhet të testohen dhe nuk kanë të drejtë të dalin nga banesa derisa të rezultojnë negativ testimin për COVID-19.
Testet brenda 72 orëve pas hyrjes janë falas. “Edhe më tej jeni të detyruar që pas hyrjes të lajmëroheni me e-mail, ose telefon në institucionin komptent, gjegjësisht, institucionin shëndetësor në vendin tuaj të banimit/qëndrimit. Udhëtarët, të cilët e kanë plotësuar dhe dorëzuar një kartelë të arritjes/zbritjes në aeroplan, autobus ose tren, nuk kanë nevojë të lajmërohen sërish pas hyrjes”, thuhet në njoftim.
Ambasada ka paralajmëruar kosovarët se nëse i shkelin këto detyrime, mund të gjobiten. /Gazeta Express