LAJME

Ambasadori rus: Kosovën do ta njohim edhe ne nëse atë e njeh Serbia (VIDEO)

Mikhail Afanasiev, ambasadori i Federatës Ruse në Shqipëri tha në një intervistë për Euronews Albania se Rusia i kishte bërë të qarta qëndrimet e saj për njohjen e Kosovës dhe arsyetoi se çështja duhet të zgjidhet përmes negociatave mes dy vendeve.

Ilva Tare: Rama kërkoi gjithashtu në Moskë që Rusia dhe Serbia të njihnin Kosovën si shtet të pavarur. Mendoni se Rusia do ta bëjë ndonjëherë?

Mikhail Afanasiev: Qëndrimi i vendit tonë për çështjen e Kosovës është i njohur mirë. Çfarëdo që të thotë ndokush, rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbetet elementi aktual i së drejtës ndërkombëtare, i cili duhet të udhëzojë vendet anëtare të OKB-së në këtë çështje. Është e çuditshme në këtë sfond të dëgjosh thirrje ndaj Rusisë për të njohur “pavarësinë” e Kosovës. Ndoshta, kjo thirrje duhet t’u drejtohet disa shteteve të BE-së, anëtarësimi në të cilin është prioriteti kryesor i Shqipërisë? Kjo do të ishte më logjike.

Për sa i përket mundësisë së njohjes së pavarësisë së krahinës nga Rusia, Moska e ka thënë vazhdimisht: ne do të mbështesim çdo vendim kompromisi reciprokisht të pranueshëm për statusin e Kosovës, i arritur si rezultat i negociatave të drejtpërdrejta midis Beogradit dhe Prishtinës.

E rëndësishme është që kjo çështje të zgjidhet drejtpërdrejt midis palëve të interesit brenda kuadrit të procesit negociator. Vetëm një zgjidhje kompromisi do të jetë e qëndrueshme, e aftë të garantojë stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Ne gjithashtu besojmë se një nga parakushtet për zgjidhjen e problemit është vëmendja e vazhdueshme nga Këshilli i Sigurimit të OKB për tematikën e Kosovës. Zgjidhja përfundimtare për çështjen e Kosovës duhet të mbështetet nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së duke miratuar një rezolutë të re për të zëvendësuar rezolutën aktuale 1244.

Ilva Tare: Në Tiranën zyrtare dhe në Prishtinë në kohën kur u bë ndërhyrje në Krime kanë vënë re se precedenti i Kosovës u përmend nga Moska zyrtare. Pra, nga njëra anë ishte precedent që Rusia e pranonte, por nga ana tjetër nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. A është ky standardi i dyfishtë?

Mikhail Afanasiev: Ngjarjet e vitit 1999 janë pjesë e historisë, por e një historie jo të largët, e cila ende vazhdon të ndikojë në situatën në rajon. Pikërisht këto ngjarje çuan në miratimin e rezolutës 1244 pas agresionit të njohur të vendeve të NATO-s kundër Republikës Federative të Jugosllavisë dhe ndarjes faktike të Kosovës. Çështja e statusit të krahinës nuk është zgjidhur ende, dhe ne çdo herë kthehemi te nevoja e gjetjes së një zgjidhjeje bazuar në normat e së drejtës ndërkombëtare, burim i të cilave është Karta e OKB-së dhe vendimet e Këshillit të Sigurimit.  Kohët e fundit partnerët tanë perëndimorë janë përpjekur t’u diktojnë palëve disa “rregulla” që shtrembërojnë të drejtën ndërkombëtare aktuale. Këto janë përpjekje për të drejtuar marrëdhëniet ndërkombëtare në kazuse.

Ilva Tare: Është bërë publike se Ministri i Jashtëm Lavrov do të vizitojë Beogradin pak ditë përpara zgjedhjeve në Serbi. Është normale për një vizitë kaq të lartë diplomatike në një vend ku ka zgjedhjet parlamentare?

Mikhail Afanasiev: Po, sot unë kam parë njoftimin për vizitën e ardhshme të Lavrovit në Boegrad më datë 18 qershor të këtij viti. Në qendër të bisedimeve do të jenë çështjet e marrëdhënieve dypalëshe. Nuk kam informacion tjetër për rendin e ditës së bisedimeve.

Përsa i përket qëllimeve dhe afateve kohore të kësaj vizite, nuk është puna ime si diplomat të vlerësoj ato. Këtu kanë liri veprimi përfaqësuesit e medias.

Ilva Tare: Çfarë kërkon Rusia në Ballkan? Cili është synimi i Rusisë për vendet e Ballkanit? Nuk është sekret marrëdhëniet e ngushta të Rusisë me vendet sllave ose me ato me shumicën ortodokse.

Mikhail Afanasiev: Gadishulli i Ballkanit është i rëndësishëm për Rusinë. Nuk e fshehim këtë. Rusia ka qenë prej kohësh e pranishme në Ballkan, jo 30-40 vitet e fundit, por prej disa shekuj. Do të ishte e gabuar të themi se ne zhvillojmë marrëdhënie vetëm me vendet ortodokse, pasi ndër partnerët tanë më të mëdhenj është kryesisht Turqia. Natyrisht, ne kemi marrëdhënie të ngushta me Greqinë. Vendet e ish-Jugosllavisë janë gjithashtu midis partnerëve tanë të suksesshëm. Prandaj, nuk mund të thuhet se Rusia ka një orientim përzgjedhës ndaj shteteve të caktuara në këtë rajon. Me dikë marrëdhëniet janë më të mira, me dikë tjetër jo edhe aq. Rusia është e interesuar që në këtë rajon, i cili nuk është shumë larg kufijve tanë, të mbretërojë paqja, stabiliteti, qetësia dhe prosperiteti ekonomik. Për ne kjo është e rëndësishme si nga pikëpamja e sigurisë sonë, ashtu edhe nga pikëpamja e bashkëpunimit ekonomik, me dobi të ndërsjellë, me të gjitha vendet e rajonit. Ne të gjithë jemi fqinjë, pjesë e një rajoni, ku shtrihet Deti i Zi, meqë ra fjala, Shqipëria, gjithashtu, është vend anëtar i Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi. Ne jemi partnerë në organizata mbarëevropiane, të tilla si OSBE. Të gjitha vendet e rajonit kanë për qëllim hyrjen në BE, i cili është partneri ekonomik më i madh i Rusisë. Nisur nga kjo pikëpamje, paqja, stabiliteti dhe bashkëpunimi janë interesi ynë i vetëm në rajonin e Ballkanit.

LEAVE A RESPONSE