Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka diskutuar me homologun e tij serb, Zlatibor Lonçar, rreth situatës së krijuar nga koronavirusi dhe hapat që duhet ndërmarrë dy shtetet fqinje për të mos lejuar përhapjen e tij në rajon.

Ky diskutim u iniciua nga Italia dhe u përcoll edhe nga KFOR, njofton Klan Kosova.

“Sot Italia ka qenë nikoqire e një video-konference në mes të ministrave të Shëndetësisë të Kosovës dhe Serbisë, Arben Vitia dhe Zlatibor Lončar, që kishte në fokus emergjencën e Covid-19. Të dyja palët shkëmbyen pikëpamjet e tyre për situatën në terren dhe diskutuan për hapat që do të ndërmarrin për pandeminë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Italisë.

“Diskutimi, i cili u ndoq nga KFOR, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit për të mbajtur në kujdes shpërndarjen e koronavirusit në regjion”.

Po ashtu, për këtë takim shkroi edhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Nikola Orlando, i cili lavdëroi gjestin e dy ministrave.

“Unë lavdëroj angazhimin e tyre për të kapërcyer distancat dhe përqendruar në shëndetin e të gjithë qytetarëve si përparësi kryesore”, shkroi ai në Twitter.

By admin

Leave a Reply