Edhe një arsye për shtyrjen e punimeve për ndërtimin e autostradës së premtuar Shkup-Bllacë. Vonesa ishte për shkak të shpronësimit të tokës. Nga Ndërmarrja Publike për rrugët e shtetit thonë se punët kanë ngecur në muajin prill. Përveç çështjeve pronësoro- juridike, institucionet në atë kohë kanë punuar me kuadër të përgjysmuar për shkak të virusit. Nga Ndërmarrja, si shumë herë më parë, thotë se muajin e fundit është arritur marrëveshje me rreth 80 përqind të qytetarëve që kanë prona në trasenë ku duhet të kalojë autostrada.
Është filluar, puna përgatitore ka nisur. Shihni, bëhet fjalë për ndërtim të autostradës. Shumë shpesh, njerëzit dhe disa gazetarë, mendojnë se diçka është filluar vetëm kur ekskavatori dhe buldozeri të shihen aty. Pra, kur bëhet fjalë për ndërtim kaq serioz, së pari ndërmarrja e ndërtimit vendos pikë të caktuar dhe e bën vendin e ndërtimit – deklaroi Zoran Kitanov- drejtor i NPRRSH.
Autostrada duhet të ndërtohet në dy faza. E para është e gjatë 2 kilometra kurse autoritetet kanë njoftuar se do të jetë gati për 18 muaj. Deri më tani ka vonesë prej tre muajve. Seksioni i dytë është i gjatë mbi 10 km dhe pritet të ndërtohet për 36 muaj.
“Nga zona industriale Vizbeg, ekipi Alsat u drejtua për në vendkalimin kufitar. Tani po kthehemi, ajo që pamë është se asnjë aktivitet ndërtimor nuk po ndodh në terren, në rrugën që duhet të jetë autostradë që lidh me Kosovën”.
Vlera totale e autostradës Shkup-Bllacë prej 12 km parashihet të kap shifrën prej 110 milion eurove. Ky aks në fjalimet parazgjedhore të qeverisë u theksua si prioritet, por tani për tani, nuk ka punime ndërtimore.