LAJME

Avdullah Hoti tregon se çka foli me shoqërinë civile, injoron protestën e aktivistëve të PSD-së

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka treguar se për çka ka folur në takimin me përfaqësues të shoqërisë civile ku u pengua nga dy aktiviste të PSD-së që e denoncuan heshtjen e tij për dhunën ndaj grave. 

Hoti ka përsëritur qëndrimet e mëparshme në lidhje me dialogun, duke deklaruar se nuk do të preket integriteti territorial i shtetit, nuk do të ketë asociacion për komunat me shumicë serbe me të drejta ekzekutive, dhe se platformë e tij do të jetë Kushtetuta e Republikës.

Ai ka thënë se për një gjë të tillë ka marrë mbështetjen edhe nga miqtë ndërkombëtarë, përcjell Periskopi.

Z.Hoti nuk ka thënë asnjë fjalë për protestën e bërë nga aktivistet e PSD-së, por as për temën e ngritur prej tyre “dhunën në familje ndaj grave”.

Statusi i plotë:

Udhërrëfyes i dialogut është Kushtetuta e Republikës së Kosovës

Sot pata një bashkëbisedim të shkëlqyer me përfaqësues të shoqërisë civile, në tryezën e diskutimit “Kryeministri i Kosovës përballë platformës së shoqërisë civile për dialog”, të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës. Pata rastin që të flas për kronologjinë e procesit të dialogut, si dhe për transparencën në këtë dialog, por edhe rrugën që Qeveria e Kosovës do ta ndjekë deri në arritjen e marrëveshjes finale për njohje reciproke ndërmjet dy vendeve.

Udhërrëfyes që nga dita e parë kur e kam marrë detyrën për procesin e dialogut është Kushtetuta e Kosovës. I kemi rikonfirmuar parimet tona për dialogun duke besuar se këto parime i nxjerrin jashtë loje komplet konspiracionet e shumta për takimet gjoja jopublike që kanë ndodhur mes delegacionit kosovar dhe atij serb. Integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm dhe kjo nuk është shtruar asnjëherë para meje në tre muajt e fundit në çdo tavolinë të dialogut që unë kam marrë pjesë.

E dyta, organizimi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket, që nënkupton se ruhet karakteri unitar i shtetit, se nuk ka asociacion me kompetenca ekzekutive në Kosovë dhe për të dyja këto parime të procesit të dialogut, kemi mbështetje të plotë nga partnerët tanë ndërkombëtarë , dhe

Parimi i tretë, që marrëveshja duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ky proces duhet të rezultojë vetëm me njohje reciproke dhe assesi të mos mbetet një proces që e konsumon vetëm veten dhe që nuk prodhon rezultate në fund.

LEAVE A RESPONSE