Bashkësia Islame e Kosovës ka dal me një vendim katër pikësh me rastin e pezullimit të namazeve ditore, duke përfshirë edhe atë të Kurban Bajramit.
Kësisoj, BIK-u që udhëhiqet nga myftiu, Naim Tërnava konfirmon se praktikimi i ritualeve fetare do të fillojë ditën e hënë më datën 10.08.2020, transmeton Indeksonline
Njoftimi i plotë:
Duke marrë parasysh situatën e rënduar aktuale me pandeminë gjithnjë në rritje, duke parë shtimin e rasteve të infektimit me virusin korona të qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe me qëllim të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve dhe në përpjekje të parandalimit të përhapjes së mëtutjeshme të virusit; në bazë të kompetencave të tij, sipas nenit 47.1 të Kushtetutës së Bashkësisë Islame të Republikës të Kosovës, Myftiu Tërnava merr këtë:
V E N D I M
- PEZULLOHET falja e të gjitha namazeve ditore (përfshirë edhe namazin e Kurban-Bajramit dhe namazin e xhumasë) në territorin e Republikës së Kosovës, duke filluar nga dita e sotme e deri në ditën e diel, më datë 09.08.2020
- Praktikimi i ritualeve fetare do të fillojë ditën e hënë më datën 10.08.2020
- Vazhdon të thirret ezani në të gjitha xhamitë e territorit të Republikës së Kosovës, pa përjashtim, në çdo kohë të namazit
- Vazhdon pezullimi i të gjitha aktiviteteve dhe ceremonive të tjera fetare deri në një vendim tjetër të radhës. K R Y E T A R I,
Myftiu Naim TËRNAVA