Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Arbër Tolaj, ka hedhur akuza të rënda ndaj Qeverisë Kurti për gjendjen në shëndetësi.
“Maskarada, e Qeverisë në ikje në dikasterin e Shëndetësisë, si duket nuk e ka ndërmend të ndaloj. Tashmë është raportuar se në Kosovë në pikën kufitare në Merdarë, konvoji me mjekë, infermierë dhe teknikë, është futur në territorin e Kosovës, me arsyetimin, se do të shpërndahen nëpër enklavat serbe. Ndërkohë informohemi për skandalin e radhës, ku e ashtuquajtura Zyra për “Kosovë e Metohi”, vazhdon me konkurse për punonjës shëndetësor, jo vetëm për Mitrovicën e Veriut, por edhe për Graqanicën dhe Gjilanin, ku sipas urdhërit të Qeverisë së Serbisë, 75 mjek dhe 125 infermierë-teknikë, pritet të angazhohen në Kosovë. E koautorë i gjithë këtij skenari, duket të jetë Qeveria jonë në detyrë. Këta nuk kursehen që të jenë patericë e Beogradit zyrtar, për ta mbështetur ridizajnimin e profilit të Serbisë para botës perendimore. Kurtianët, po vazhdojnë komoditetin e pushtetit pa asnjë të keqe, duke suportuar pa hezitim projektin serb”, ka shkruar Tolaj.