Deputeti i AAK’së-Bulliqit: Trego çfarë bëri Haradinaj për demarkacionin kur erdhe i mbushur frymë
Deputeti i AAK’së, Gazmend Syla përmes një statusi në Facebook ka shkruar për siç thotë ai rolin e kreut të Aleancës, Ramush Haradinaj në temën e demarkacionit.
Syla thotë se tash deputeti i LVV’së, Shpejtim Bulliqi duhet t’i tregojë opinionit se një natë para se të ratifikohej demarkacioni, ka shkuar “i mbushur frymë”, për të kërkuar ndihmë nga kreu i AAK-së.
“Besoj të kujtohet kur një natë para se të ratifikohej marrëveshja, kur erdhe i mbushur frymë dhe kërkove takim urgjent me kryeministrin Haradinaj. Besoj të kujtohet edhe biseda në korridor, kur i tregoje z.Haradinaj se po duan të ndërhyjnë në tekstin e marrëveshjes, disa grupe parlamentare që ishin duke punuar në kuvend në ato orë të vona të natës. Ju e dini se çka i tha z.Haradinaj përfaqësuesit të AAK-së në telefon atë natë (jam i bindur që të kujtohet mirë toni i asaj bisede). Ju e dini edhe përkushtimin e angazhimin e Kryeministrit Haradinaj për Kullën e Çakorrin”, ka thënë ai, duke shtuar se gjatë punimit të raportit të Komisionit, Haradinaj në vazhdimësi i ka ndihmuar atyre.