Gazeta serbe Danas ka bërë një artikull në lidhje me dialogun që pritet të mbahet në Washington më 4 shtator mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e ShBA-ve.
Kjo gazetë shkruan se “duket që ka ardhur koha” që presidenti amerikan Trump të përmbush zotimin e tij nga letrat që iu kishte dërguar më 2018 Thaçit dhe Vuçiqit për arritjen e nënshkrimit të marrëveshjes finale.
Danas pretendon që nuk ka asnjë njoftim mbi praninë e mundshme të vetë Trumpit në takim, dhe se nuk ka as agjendë të takimit por shton se ky takim mund të përbëj një “çelës thelbësor” për shkëmbime territoriale, transmeton Periskopi.
Në këtë artikull citohet edhe ish ambasadori amerikan në Beograd, Willy Montgomery, i cili ka thënë se ShBA-ja ka gjasë të ndjekë një model normalizimi të ngjashëm mes atij që u ndoq në marrëveshjen e Izraelit me Emiratet e Bashkuara Arabe (që përfshin edhe shkëmbim territorial).
“Vuçiq duhet ta kuptojë se ka shumë mundësi që Trump të humbas zgjedhjet e ardhshme dhe Biden është vendosmërisht në favor të një Kosove me kufijtë ekzistues,” – ka thënë ai.
Montgomery beson se as Gjermania nuk do të ishte në gjendje që ta refuzonte një marrëveshje të arritur nga ShBA-të – edhe nëse nuk do ta pëlqente atë. /Periskopi