Gjykata Kushtetuese e cilësoi si të rregullt dekretin që Presidenti i vendit Hashim Thaçi ia bëri Avdullah Hotit për të krijuar Qeverinë.
Por, si duket, LDK dhe mandatari i saj i dekretuar nga Presidenti, tani ka një problem shumë më të madh se sa tejkalimin e kësaj situate nga Gjykata Kushtetuese.
Tash telashet janë brenda partisë së Isa Mustafës, ku një grup i të “pakënaqurve”, kanë filluar “rebelimin”, pasi janë paracaktuar emrat për drejtuesit e ministrive nga kjo parti. Kështu bëjnë të ditur burime të sigurta nga partia e Isa Mustafës për gazetën inFokus.
Derisa kjo parti pa ndonjë telashe thanë që ishin dakorduar me AAK-në, NISMA-n e Listën Serbe për të krijuar ekzekutivin, kaq e lehtë nuk po është edhe me zyrtarët brenda saj.
Nga burime të mirëinformuara gazeta inFokus, merr vesh se ka filluar përçarje e madhe brenda partisë së Isa Mustafës. Ky burim thotë se përçarja e madhe ka filluar shkaku i emrave të ministrave.
Nëpër media, ditë më parë qarkulluan edhe emrat e zyrtarëve të LDK-së që do të kenë poste në Qeverinë Hoti. Driton Selmanaj u tha të jetë zëvendëskryeministër, ndërsa Vlora Dumoshi do të vazhdoj të qëndroj në krye të ministrisë së Kulturës.
Agim Veliu do të kthehet në MPB, ndërsa Anton Quni do të vazhdoj të jetë ministër i Mbrojtjes nëse kjo ministri nuk i shkon AAK-së.
Derisa, Lumir Abdixhiku, nuk do të jetë fare ministër. Ministrinë e Infrastrukturës pritet ta udhëheqë Arban Abrashi, shkruan gazeta inFokus.
Abdixhiku njihet si përkrahës i kryeparlamentares dhe kryetarës së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila edhe publikisht ka shprehur pakënaqësitë e thella me lidershipin e LDK-së.
Madje, zyrtarë të lartë të partisë së Mustafës edhe kanë thënë që Osmani më nuk do të duhej të jetë pjesë e partisë.