LAJME

Fillimi i ndërtimit të Xhamisë, çfarë leje i ka dhënë Komuna e Prishtinës BIK’ut?

Javën që shkoi Myftiu Naim Tërrnava u shfaq personalisht në lokacionin që është caktuar për ndërtimin e xhamisë qendrore në Prishtinë. Aty, ai falënderoi donatorët që kanë dhënë paratë për ndërtimin e saj. Por, në Komunën e Prishtinës thonë se Bashkësisë Islame të Kosovës ende nuk i është dhënë leja për ndërtim të plotë, por vetëm për pjesën e nëndheshme të saj. Ndryshe, dje është mbajt një protestë e vogël ku ka pasur përplasje verbale të kundërshtarëve dhe atyre që janë pro xhamisë.

Për Xhaminë e Prishtinës, gurthemeli i së cilës është vendosur qysh në vitin 2012, ende nuk ka leje të plotë ndërtimi.

Kreu i Bashkësia Islame të Kosovës  Naim Tërrnava më 15 korrik njoftoi se kanë nisur punimet për ndërtimin e xhamisë qendrore në kryeqytet. Megjithatë, Komuna e Prishtinës ende nuk i ka dhënë leje të plotë.

“Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka përcjellur për së afërmi fillimin e punëve për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë. Ai uroj të gjithë besimtarët për fillimin e ndërtimit të kësaj xhamie mëse të nevojshme dhe të shumëpritur për gjithë besimtarët”, thuhet në njoftimin e BIK’ut.

Por, punët që po kryhen në lokacionin ku do të ndërtohet xhamia vetëm i paraprijnë ndërtimit.

BIK-u ka aplikuar për leje të ndërtimit të xhamisë në muajin prill të këtij viti në Komunën e Prishtinës. Zyrtarët më të lartë të shtetit përfshirë Presidentin, krerët e partive dhe zyrtarë tjerë dje janë deklaruar rreth xhamisë pas një protestë që u bë aty, por zyrtarë të Komunës së Prishtinës nuk kanë pranuar të deklarohen rreth kësaj çështjeje.

Express nga burime brenda komunës mëson se BIK-u është pajisur me leje vetëm për punët e nëndheshme, që nënkupton pilotimin e hapësirës ndërtimore, por jo edhe për leje ndërtimore.

Express ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga sekretari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Ndërkohë, të mërkurën qytetarë pro dhe kundër ndërtimit të xhamisë kanë protestuar.

Protestuesit që shpreheshin kundër ndërtimit të xhamisë kërkonin që të ndalohen këto punime, me pretekstin se xhamia është politike dhe se do t’i bëjë dëm Kosovës.

Ata që kishin dalë për ta përkrahur ndërtimin e xhamisë u shprehën se janë të gatshëm të japin edhe jetën, që kjo xhami të ndërtohet.

Xhamia qendrore lokacioni i të cilës është në lagjen “Dardania” afër objektit të Telekomit të Kosovës, ishte bërë temë diskutimi mes Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës për lëshimin e lejes për fillimin e ndërtimeve.

Ndërtimit të kësaj xhamie i kishin paraprirë një varg protestash nga komuniteti mysliman, të cilit kishin kërkuar që ky objekt kulti të ndërtohet përballë Katedrales “Nënë Tereza” në oborrin e fakultetit Filologjik.

Mirëpo pas konsultave ndërmjet kryetarit të Prishtinës dhe kryetrarit të Bashkësisë islame të Kosovës është arritur konsensus që xhamia të ndërtohet në lagjen Ulpiana.

Kjo xhami do të financohet dhe do të ndërtohet nga Bashkësia Islame Turke, ndërsa kostoja e saj vlerësohet të jetë prej 35 deri në 40 milionë euro.

LEAVE A RESPONSE