LAJME

Gazmend Syla kritikon tubimin e Vetëvendojses, por edhe Qeverinë që s’organizoi gjë për çlirimin (VIDEO)

Drejtori i Informacionit në Klan Kosova Gazmend Syla duke i komentuar ditët e para të qeverisë së re ka thënë se pritej që kryeministri Avdullah Hoti ta hiqte reciprocitetin.

“Janë ditët e para të një qeverie të re që erdhi në mënyrën qysh erdhi dhe iu deshën të bëjë disa veprime të shpejta, mbase për te treguar se çfarë mund të pritet nga ajo. Ishte vendimi për heqjen e reciprocitetit që u përcoll me zhvillime interesante dhe reagime. Ka qenë e pritshme që Hoti si kryeministër ta heqë reciprocitetin dhe besoj se kjo i hap rrugë kthimit në normalitet të dialogut Kosovë-Serbi”.

Por, si e sheh ai sjelljen e opozitës gjatë kësaj kohe?

“Opozita e ka për detyrë që gjithmonë, edhe kur qeveria bën mirë, ta gjejë një arsye dhe vegëz që të shfaqë reagimet e saj që mund të jenë pakënaqësi, mosmiratim, hidhërim dhe kështu me radhë. Vetëvendosja ka deklaruar gjithmonë që do të jetë kundër kësaj qeverie që po e quan “koti”. Është interesant reagimi i PDK-së që po e luan jo një lloj mesi, po edhe pse është opozitë vazhdon të jetë opozitë karshi Vetëvendosjes që po ashtu është në opozitë. Është një opozitarizëm i moderuar i ashpër karshi Qeverisë Hoti”.

Syla në Sytë 7 në Klan Kosova, në analizën e përjavshme të aktualitetit, e ka kritikuar tubimin e të premtes që Lëvizja Vetëvendosje e ka organizuar për festimin e 15 vjetorit të krijimit.

“Më ka lënë shumë përshtypje tubimi i Vetëvendosjes, sepse nuk e kam pritur që do të jetë tubim i ngushtuar në kuptimin e pranisë së njerëzve sepse u thirr si tubim në pika. Një ditë më herët e pamë edhe fjalimin e kryetarit të partisë Albin Kurti që tha se ‘ju ftoj nëpër këto pika’ që të jetë një tubim që respekton rregullat karshi pandemisë”.

Edhe më i ashpër ka qenë me ish-Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia.

“Duke ditur që aty ishte edhe një ministër që arriti që për tre ose katër muaj ta menaxhojë në mënyrë goxha të mirë situatën me pandeminë edhe ai bëri një gafë. Mendoj që të paktën nuk ka qenë dashur të prezantojë atë ditë në tubim. Në momentin kur e ka parë që s’po respektohet distanca duhej të abstenonte, sepse ishte krijuar një aurë e mirë karshi pozitës dhe punës së tij. Gjithçka që bëri Arben Vitia në periudhën e pandemisë sikur e hodhi poshtë atë ditë”.

“Mbetet të shihet nëse tubimi i të premtes do të rezultojë me rritje të numrit të atyre që janë infektuar, por ka qenë shqetësuese. Ka qenë për t’u brengosur që një parti politike që udhëhoqi me qeverinë dhe bëri mirë në menaxhimin e pandemisë vetëm një javë ditë pasi ra nga pushteti ta lëshojë veten në atë nivel që ta mbajë një tubim ku nuk respektohen masat”.

Kritik ishte edhe për qeverinë e re, por edhe atë të vjetër, që nuk organizuan asgjë për Javën e Çlirimit të Kosovës.

“Javën e kaluar filloi java e festës për çlirimin e Kosovës. Vendi ynë i ka më shumë borxh të gjitha viktimave të luftës dhe atyre njerëzve që kanë pësuar në çfarëdo forme që mos ta kalojë këtë javë të heshtur. Nuk ka festë, ditë, ngjarje dhe përjetim më të madh sesa çlirimi. Ne e lamë të kalojë heshturazi. Pavarësisht pandemisë besoj që njerëzit duhej të tregoheshin më kreativë për të gjetur mënyra se si të festohet kjo. Nuk besoj që ka qenë problem i madh që të paktën një mbrëmje të festohej me fishekzjarre. Konsideroj që ky ka qenë një lëshim i madh i të rinjve që kanë ardhë në pushtet, por edhe të vjetërve që nuk lanë gjë gati”.

Drejtori i Informacionit në Klan Kosova pret që java në të cilën kemi hyrë sot të sjellë zhvillime interesante në politikë.

“Kjo është java që do të hyjnë shumë shtiza në Kosovë rreth asaj çfarë do të ndodhë me zgjedhjet e Serbisë në Kosovë. Unë besoj që këto janë zgjedhjet e fundit në mënyrën qysh mbahen tash. Pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve besohet se rifillon dialogu. Negociatat nuk besoj që zgjasin shumë dhe kur këto të përfundojnë me një rezultat të caktuar, atëherë Kosova dhe Serbia përshëndeten me njëra-tjetrën në kuptimin e telasheve që kanë dhe zor që do të ketë më zgjedhje të Serbisë në mënyrën qysh organizohen tash – që neve na shkelet sovraniteti”.

Kur është puna te dialogu me Serbinë, ai është i bindur që presidenti Hashim Thaçi do të jetë pjesë e tij domosdo.

“Nuk besoj që presidenti nuk do të jetë në lidershipin e delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë në çfarëdo formati që bëhet ai. Nuk e di a do të jenë të dy bashkë apo njëherë njëri e njëherë tjetri, por Thaçi e ka thënë disa herë që e thotë Kushtetuta se kush udhëheq dhe si bëhet dialogu. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe Hoti. Besoj që kur është planifikuar qeveria Hoti gjithçka është sqaruar qysh atëherë”.

LEAVE A RESPONSE