Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, ka paralajmëruar se kjo parti nuk do të votojë asnjë kandidat tjetër për të parin e shtetit, pas skadimit të mandatit të presidentit Hashim Thaçi.
Ai ka thënë se deputetët e AAK-së për postin e presidentit do ta votojnë vetëm kreun e partisë Ramush Haradinaj.
Haradinaj ka folur edhe rreth marrëveshjes së Uashingtonit, për të cilën tha se si parti kanë vërejtje rreth negociatave dhe një pike në marrëveshje.
Haradinaj ka thënë se kryeministri Hoti, me kushtetutë, gëzon kompetenca sa i përket udhëheqjes së procesit të dialogut, por kërkon që AAK të jetë pjesë e barabartë në tavolinën e dialogut.
Ai ndërkaq tha se emërimi i koordinatorit për dialogun Skender Hyseni ‘nuk ka aq peshë sa t’i prishë marrëdhëniet e koalicionit qeverisës AAK-LDK’.

