Në Irzniq të Deçanit sot u zbulua shtatorja e dëshmorit Maxhun Çekaj, me ç’rast u vlerësua lart veprimtaria e tij në arsim dhe luftën çlirimtare të Kosovës.
Zbulimi i shtatores që u organizua nën përkujdesjen e kësaj komune, u bë në 21- vjetorin e çlirimit të Deçanit, ndërsa përveç familjarëve morën pjesë përfaqësues institucionalë, bashkëluftëtarë të Maxhun Çekaj, qytetarë të Deçanit.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Maxhun Çekaj do të mbahet gjithmonë në mend për kontributin në arsim dhe në luftë.
Ai tha se Kosova do të jetë përjetësisht e mbrojtur vetëm me anëtarësim në NATO, teksa shtoi se një marrëveshje me Serbinë do t’i hapë rrugë vendit, raporton KP, transmeton Klan Kosova.
“Është një figurë që bashkon në vete anën e njeriut të mirë e të dashur, por po ashtu është një njeri që ka pasur ngritje intelektuale, dije profesionale të cilën ai e dha në kohën më të çmueshme. 21 vjet nga çlirimi i vendit, Kosova ka të arritura, por edhe sfidohet nga mënyra si qeveriset vendi përballë vështirësive”.
“Kosova duhet të ketë vetëbesim e të ecën përpara për një marrëveshje për njohje reciproke me Serbinë që t’i hapet perspektiva Kosovës jo veç për marrjen e njohjeve të pesë vendeve të BE-së, e ku njohja nga këto vende do të ishte drejtësi dhe po ashtu mundësi të cilën e synojmë anëtarësimin në NATO… Mirëpo ne pragun e Kosovës do ta kemi të mbrojtur përjetësisht ditën kur anëtarësohemi në NATO. Deri në atë ditë pragu ynë i shtëpisë mund të rrezikohet dhe ne duhet të bëjmë kujdes deri në anëtarësim në NATO”, tha Haradinaj.