Mbi 100 infermierë në muaj nga Kosova emigrojnë në shtetet perëndimore. Ndërkohë që janë mbi një mijë të tjerë të cilët kanë aplikuar për punë. Në vend tash e sa kohë është dhënë alarmi se mjekët e infermierët janë duke u larguar nga sistemi mjekësor, dhe që kështu Kosova po mbetet pa këta shërbyes. Pjesa më e madhe e tyre shkojnë në Gjermani, e të cilët po sigurojnë kontrata pune dhe pagesa të kënaqshme.
Fitim Havolli, i cili është kryetar i Sindikatës së infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë, thotë se vendi nuk po trajton si duhet infermierët. Ani pse të njëjtit po rrezikojnë jetën tani gjatë pandemisë, dhe jo vetëm.
“Infermieri me vite të tëra ka qenë jo shumë i trajtuar si rëndësi ose si profesion, i cili është shumë i dobishëm dhe i rëndësishëm në raport jo me COVID-19, por gjithmonë ka qenë i pari dhe i fundit që takon pacientin. Mirëpo kërkesat tona në vazhdimësi si sindikatë kanë qenë me kohë tek institucionet gjegjëse. Siç është Ministria e Shëndetësisë, Komisioni parlamentar për Shëndetësi, kemi rastin edhe sipas kategorizimit të koeficientit në Gjykatë Kushtetuese duke pritur kategorizimin sipas meritokracisë, e të cilën realisht legjislatura e kaluar e ka rangu në një pozitë të pakënaqshme dhe të pa merituar”, thekson ai.