Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar ashpër ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaçi, i cili ka shpërndarë disa pamje që sipas tij dëshmojnë inkriminimin e Grupit Kurti dhe familjes politike të Haxhiut.
Haxhiu ka thënë se presidenti është duke shpifur për qëllime të pista dhe se për këtë janë duke u konsultuar me avokatë për ta paditur Thaçin në Gjykatën e Zvicrës, transmeton Telegrafi.
“Dje akuzoi që familja ime ka laborator droge, ndërsa sot, thekson familja politike. Sikur herën e parë po ashtu edhe herën e dytë, ai ka shpifur me qëllime të pista. Ju njoftoj që lidhur me akuzat e shpifjet e tij, familjarët e mi me shtetësi zvicerane janë duke u konsultuar me avokatë për ta paditur Hashim Thaçin, në Gjykatën e Zvicrës”, ka shkruar ajo në një postim në Facebook.
Haxhiu ka thënë se policia duhet të demantojë Hashim Thaçin.
“Në anën tjetër policia DUHET ta demantojë Hashim Thaçin sepse ata i kanë informacionet e sakta. Le të dalin e të flasin publikisht”, vijon shkrimi i Haxhiut. /Telegrafi/