QËNDRIME & OPINIONE

Histeria kundër hipokrizisë së Kurtit

Nga gjithë ata që Albin Kurti emëroi këshilltarë, në distancë njihja vetëm Shkëlzen Gashin. Nuk e kam takuar nga afër, por duke mos qenë anonim si të tjerët, është një njeri që ka profil publik të spikatur. Autor libri, një publicist kontravers, provokues debatesh, dhe shpesh një gjenerues debatesh delikate.

Shkruan: Mero Baze

Dilema që kisha kur u emërua më binte ndesh me profilin e Albin Kurtit, një autokrat i vendosur kundër mendimit ndryshe, një spastrues kritikësh brenda partisë, dhe një promovues i patriotizmit patetik.

Por duke mos ditur më shumë, mendova se, ose Gashi ka ndonjë anë të panjohur që i shërben Kurtit, ose ky i fundit po bën një sprovë për të ndryshuar profilin, si autokrat dhe të përballet me njerëz me mendim ndryshe, çka nuk është e këshillueshme shumë në një kabinet.

Shkëlzen Gashi nuk ka thënë asgjë të re nga sa ka thënë më parë në këtë temë. Albin Kurti ka qenë i qartë për këtë ndaj dhe mendova se po e merrte këshilltar për të provokuar kundërshtarët dhe në këtë pikë, për të fituar simpatinë e disa faktorëve ndërkombëtarë.

Ashtu siç shkuan punët, Shkëlzen Gashi u pa se vazhdoi të sillej si vetvetja, si ai që ka qenë dhe para se të ishte këshilltar i Albin Kurtit.
Fushata gati linçuese ndaj tij, në fakt nuk kishte të bënte me të, por me Albin Kurtin. Askush nuk i është vërsulur Shkëlzen Gashit këto 20 vjet, për të njëjtat gjëra që ai ka thënë, pasi ja kanë respektuar si mendim të lirë.
Ai u linçua pikërisht se kishte veshur kostumin e Albin Kurtit. Nëse Albin Kurti vërtet e ka punësuar këshilltar për ta përdorur për këtë qëllim, ai thjesht ka humbur betejën e parë me kundërshtarët e tij, për t’i provokuar në këtë pikë.

Ata arritën të kenë me vete opinionin pubik, kundër tij, jo kundër Gashit. Për Gashin askush “nuk ka nxjerrë revolverin” nga brezi 20 vjet, për të njëjtat tekste.

Ndaj i dorëzuari dhe i munduri në këtë histori është Albin Kurti.
Ai dështoi t’i provokojë kundërshtarët e vet në këtë pikë, përmes një mendje të lirë si këshilltari i tij.

Nga ana tjetër tingëllon dhe pak hipokrite qasja e Albin Kurtit ndaj Gjykatës Speciale.
Kur u miratua ligji për Gjykatën Speciale në Kuvend të Kosovës dy vjet më parë, Albin Kurti ka pas mbajt një fjalim populist, ku i thoshte Hashim Thaçit e Ramush Haradinajt, se ju keni interes të fitojë “Vetëvendosja”, se nëse ne jemi në pushtet, u mbrojmë ju nga Gjykata Speciale, se ne nuk e njohim Gjykatën Speciale dhe nuk ju dorëzojmë aty etj..

Tani, nëse nga një anë sillesh si zhbërës i Gjykatës Speciale, e nga ana tjetër përdor mendje të lira në Kosovë, që ua njeh qëndrimin pro Gjykatës Speciale dhe qasjes radikale ndaj atyre që quhen krime mbi civilë serbë, do të thotë se je një makiavelist që keqpërdor dhe njerëz që u beson detyrën e këshilltarit, me qëllime të caktuara.

Histeria, nëse do ta quajmë kështu kundër Gashit, nuk ka lidhje fare me Gashin. Ka lidhje me makinacionet e Albin Kurtit, i cili në këtë rast, ka dashur të kapë pataten e nxehtë, më duart e këshilltarit të tij, që i ka të natyrshme këto qëndrime. Dhe kjo duket dhe në tekstin e largimit të tij. Kurti nuk thotë se është kundër mendimeve të Gashit. Ai thjeshtë thotë se deklarata shpërqëndron punët e qeverisë. E thënë më popullorçe, “thjesht nuk ndezi”

Ky është i vetmi shpjegim.

Unë nuk jam gati të besoj se Albin Kurti u befasua nga qëndrimet e Gashit dhe akoma më shumë të them, se u sfidua nga një mendim ndryshe nga këshilltari i tij. Ai u sfidua nga opinioni publik, pikërisht se opinioni publik nuk e pranon që Albini të jetë edhe nacionalist, edhe patriot, dhe të sulmojë nga pozita të kundërta duke përdorur një këshilltar, qoftë dhe në mënyrë spontane, duke ja ditur mendimet.

Dhe këtu ka të drejtë opinioni publik, por jo kundër Gashit, por kundër Kurtit.

Përndryshe asnjë këshilltar tjetër i Kurtit “nuk bën gabime”, pasi i ka zgjedhur të tillë që të mos kenë mendim, as në zyrë të Kurtit, e jo më në TV.
Praktikisht i ka zgjedhur t’i këshillojë dhe jo ta këshillojnë. Përveç Gashit, që duket se ishte i qartë për se e kishte marrë

LEAVE A RESPONSE