LAJME

Historia dhe pasuria e Ujmanit

Me një sasi prej 400 milionë metër kub ujë, Ujmani është liqeni artificial më i madh në Kosovë, me rrjedhë nga lumi Ibër, burimi i të cilit është në Malin e Zi.

Liqeni shtrihet në pjesën veriore të vendit, më saktësisht në Zubin Potok e është edhe në vijë kufitare me Serbinë.

Si projekt i Bankës Botërore u fillua ndërtimi i tij në vitet e shtatëdhjeta në kuadër të Krahinës Autonome të Kosovës.

Menaxheri i këtij projekti asokohe, Avdi Gjonbalaj tregon për KOHËN se Ujmani u ndërtua për nevoja të qytetarëve të Kosovës.

Sipas Gjonbalajt, atëkohë ishte nxjerrë edhe një ligj i veçantë për këtë resurs natyror, bazuar në ligjet e ish-Jugosllavisë.

Një gjë e tillë është e vërtetuar edhe nga një raport i Auditimit të Bankës Botërore i bërë në maj të vitit 1986.

“Projekti i Ujit për shumë qëllime ‘Ibri’ (Kredi 777-YU) i nënshkruar më 30 qershor 1971, është përpjekja e parë në Jugosllavi për të siguruar një zhvillim gjithëpërfshirës të burimeve ujore për një rajon të tërë. Rajoni në fjalë, Provinca e Kosovës, është rajoni më pak i zhvilluar i Jugosllavisë me të ardhura mesatare për kokë banori vetëm sa një e treta e mesatares kombëtare… Sidoqoftë, zgjerimi i industrisë dhe bujqësisë u kufizua nga mungesa e ujit; dhe një master plan u përgatit për të shfrytëzuar dy lumenjtë kryesorë në Kosovë, Ibrin dhe Lepencin, për të siguruar ujë për industrinë, komunat, ujitjen dhe gjenerimin e hidrocentraleve”, thuhet ndër tjerash aty.

Raporti tutje sqaron edhe të gjithë planin për Ujmanin dhe përbërjen e tij.

Aty thuhet se qëllimi kryesor i këtij impianti të ujit është sigurimi i ujit për përdorim industrial në Krahinën Autonome të Kosovës deri në vitin 1995 e po ashtu edhe ujitja e mbi 21 mijë hektarëve tokë bujqësore.

“Përfitimet shtesë të projektit përfshijnë sigurimin e një burimi të përshtatshëm të ujit të pijshëm për disa komunitete, përmirësimin e shëndetit publik në rajon, mbrojtjen nga përmbytjet në luginën e Ibrit në rrjedhën e poshtme të Digës Gazivode dhe prodhimin e energjisë. Komponentët kryesorë fizikë të projektit përfshijnë dy diga, një termocentral hidroelektrik 34 megavat, 135 km tubacione kryesore uji, dy stacione pompimi, një skemë ujitjeje dhe kullimi 21,000 ha dhe rrugët përkatëse të furnizimit”, thuhet në raport.

Implementimin e këtij projekti milionësh e ka bërë ndërmarrja hidroekonomike “Ibër – Lepenci” që edhe tani menaxhon me Ujmanin.

Demë Abazi që është drejtor teknik në këtë ndërmarrje tregon se Ujmani është burim uji për një pjesë të konsiderueshme të territorit të vendit.

Për një kohë të gjatë, është duke u diskutuar edhe për pronësinë e këtij liqeni, pasi Serbia pretendon që Ujmani i takon asaj, meqenëse nuk e njeh as shtetësinë e Kosovës.

Mirëpo, sipas Abazit ekziston dokumentacioni që e vërteton të kundërtën.

Më 4 shtator në Washington kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe president serb Aleksandar Vuçiq me ndërmjetësim të SHBA-së nënshkruan marrëveshje lidhur edhe me Ujmanin në të cilin thuhej se duhet të bëhet një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të liqenit.

Ky studim do të bëhet nga Departamenti Amerikan i Shtetit për Energji në bashkëpunim me entitete të tjera të qeverisë amerikane.

Kjo nismë po mirëpritet nga ana e Institutit për Politika Zhvillimore, pasi që sipas tyre, ky hulumtim mund të tregojë për potencialin e vërtetë të Ujmanit.

Mirëpo, Dardan Abazi nga INDEP shton se asnjëherë nuk mund të jepen në shfrytëzim një shteti tjetër resurset natyrore të Kosovës.

Ndërkaq, çfarëdo ndërhyrje e Serbisë në rrjedhën e Lumit Ibër që është burim i Ujmanit, konsiderohet si shkelje e ligjeve ndërkombëtare për ujërat.

Fitim Humolli, që është ligjërues i gjeografisë ekonomike, thotë se Ujmani është resurs vetëm i Kosovës.

Ujmani përbën po ashtu 33% të burimit për prodhimin e energjisë së ripërtërishme.

LEAVE A RESPONSE