Hoxha i PDK-së: VV në qeverisje u dorëzua për dy muaj, njëjtë po dështon edhe koalicioni aktual
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Sejdi Hoxha, ka pritur sot për vizitë në Komunën e Drenasit, kreun e këtij subjekti, Kadri Veselin.
Ai pohon përmes facebook, se Drenasi ka qenë dhe mbetet bastioni kryesor i Partisë Demokratike të Kosovës.
”Patëm kënaqësi që në Drenas në takim me Kryesinë e degës ta kemi të pranishëm Kryetarin e PDK-së z. Kadri Veseli, Sekretarin z. Uran Ismaili dhe anëtarin e Kryesisë z. Betim Gjoshi, si në të kaluarën po ashtu edhe tani Drenasi ka qenë dhe mbetet bastioni kryesor i PDK-së. Puna e mirë, transparenca, llogaridhënia, si dhe investimet e bëra në këtë Komunë kanë bërë që qytetaret t’i besojnë kësaj partie”.
”Ju jemi shumë mirënjohës dhe falënderues të gjithë qytetarëve për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme dhe zotohemi që do të punojmë me nder dhe profesionalizëm edhe në të ardhmen”.
Megjithatë ai pati doza kritike ndaj Qeverisjes së VV-së, dhe asaj aktuale Qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti i LDK-së, njofton Klan Kosova.
”Tani i provuam të gjitha partitë në qeverisje, e provuam edhe LVV-në e cila fliste shumë në opozitë por në qeverisje u dorëza për dy muaj, njëjtë po dështon edhe koalicioni aktual para sfidave të menaxhimit me pandeminë, rimëkëmbjen ekonomike, bisedimet me Serbinë si dhe tema të tjera të rëndësishme për vendin”.
”Kjo po dëshmon që alternativa më e mirë politike për vendin është PDK, dhe personaliteti më serioz dhe më i besueshëm për Kryeministër është z. Kadri Veseli”.