LAJME

Hyseni: Jam i lumtur me këtë marrëveshje, hapat tjerë çojnë drejt njohjes reciproke

Koordinatori Shtetëror për Dialogun Skender Hyseni ka thënë se marrëveshja ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, që është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, është hapi i parë i fundit drejt marrëveshjes finale.

“Pika më e fuqishme është vetë fakti që është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit Donald Trump. Pika më e fuqishme si tërësi është që kjo marrëveshje përbën hapin vendimtar të parë që pashmangshëm hapat e tjerë çojnë drejt njohjes reciproke Kosovë-Serbi. Dua të shpreh keqardhje për pritjet që nuk e di si janë krijuar që në këtë ngjarje në Washington do të ketë njohje reciproke”.

“Është thënë në parim që ne shkojmë në çdo takim të kësaj natyre shkojmë për njohje reciproke, por jo domosdoshmërisht në këtë takim për njohje reciproke. Ne e kemi ditur qartë se cila është agjenda e këtij takimi gjatë gjithë kohës. E kemi ditur qartë që në Washington DC po vijmë të nënshkruajmë një marrëveshje e cila është gjithnjë në linjë me bindjen e thellë të Shtëpisë së Bardhë që vetëm një përkushtim për një zhvillim të hovshëm ekonomik për rajonin është i domosdoshëm si hap i parë në mënyrë që zgjidhja e çështjeve tjera të natyrës më ultra politike të bëhet shumë më e lehtë”. Ai në një intervistë nga Washingtoni është shprehur i bindur se marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë është çështje muajsh.

“Nuk duhet njerëzit ta interpretojnë si të tepruar atë që e tha Donald Trump që është ‘marrëveshje historike’, sepse po vendos një parakusht thelbësor që pashmangshëm hapat e tjerë do të sjellin atë që është kryesorja. Asgjë nuk funksionon nga këto nëse nuk ndodh kryesorja. Ne e themi edhe në Bruksel se me Serbinë nuk funksionon asnjë temë derisa këto dy vende s’e njohin njëra-tjetrën. Jam i sigurt që po flasim për muaj se kur do të ndodhë njohja mes Kosovës dhe Serbisë,  një marrëveshje përfundimtare e cila këto dy shtete do t’i bëjë ta njohin njëra-tjetrën, dhe mbase të vendosin marrëdhënie diplomatike jo shumë kohë pas saj”. Koordinatori Shtetëror për Dialogun ka thënë se marrëveshjet e mëhershme separate kanë qenë humbje kohe.Sipas tij, marrëveshja ekonomike e nënshkruar sot është krejtësisht ndryshe nga lloji i marrëveshjeve të mëhershme.

“Unë e kam thënë edhe në kornizën që është dokument prijës për mua në negociata si Koordinator Shtetëror që marrëveshjet separate kanë qenë humbje kohe. Kam konstatuar kështu edhe atëherë kur janë arritur këto marrëveshje, sepse nuk e shoh të mundshme. Kjo është marrëveshje dypalëshe mes Kosovës dhe SHBA-së dhe Serbisë dhe SHBA-së në anën tjetër për një numër projektesh infrastrukturore thelbësore për zhvillimin ekonomik të rajonit, që në pjesën më të madhe janë investime amerikane. Po bëhet fjalë për marrëveshje që është krejt e kundërta e marrëveshjeve të deritanishme”.

“Është marrëveshje tripalëshe që nënshkruhet bilateralisht. Qeveria e Kosovës është përgjegjëse për projektet infrastrukturore që e kapin territorin e Kosovës, qoftë hekurudha, autostrada apo gazjellësi që janë tri mega-projekte që tejkalojnë shumën prej 1 miliard eurosh”.

LEAVE A RESPONSE