Ministri në detyrë i Punëvë të Jashtme Glauk Konjufa e ka përkufizuar betejën mes presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurtit si “betejë e popullit për ndryshim në Kosovë”.
“Mendoj që beteja mes Albin Kurtit dhe Hashim Thaçit është betejë e popullit të Kosovës për të sjellë ndryshim në Kosovë dhe kjo është betejë shumë e gjatë – që 20 vjet po ndodh. Ndryshimi duhet të ndodhë në drejtësi, anti-korrupsion dhe në ato që ne i kemi përfaqësuar si ide elektorale”.
“Tash presidenti Thaçi ka ndërhyrë në këtë proces, po do që të krijojë një qeveri sipas modelit të tij. Unë mendoj që ai ka kaluar jashtë Kushtetutës”.
“Presidenti po më pengon edhe mua në punë. Unë si ministër e kam për kompetencë për nevoja të Ministrisë së Punëve të Jashtme të kthejë disa njerëz që unë mendoj se duhet të kthehen, derisa presidenti ka dalë dhe ka thënë ‘jo, nuk mund t’i kthesh’. E ushtron të drejtën e vetos të cilën nuk e ka”.
Ai ka thënë se presidenti shkon përtej mandatit që ka, derisa ka bërë një krahasim edhe me ish-presidenten Atifete Jahjaga.
“Në çdo aspekt presidenti është i tillë. Presidente ka qenë edhe Atifete Jahjaga, por ajo për çdo çështje që frikësohej se mund ta shkelte Kushtetutën i shkruante Gjykatës Kushtetuese. Ky [Hashim Thaçi] nuk përton fare që të shkojë përtej mandatit që e ka, dhe mendoj se ky është problem i Kosovës”, thotë Konjufca në Klan Kosovë.
“Po bëhet e qartë që bashkëjetesa mes Republikës, demokracisë dhe Hashim Thaçit tashmë është e pamundshme”.