LAJME

Kufijtë e Evropës nuk hapen deri në shtator

Kufijtë e Bashkimit Europian do të mbeten të mbyllur deri në muajin shtator dhe një vendim i tillë, do të prekë si vendet europiane jo anëtare, ashtu dhe ShBA-në e Kinën, që janë si tregjet më të mëdha të aviacionit civil.

Pavarësisht rikthimit të fluturimeve në fund të vitit, në shfrytëzim mund të vihet vetëm 80% e flotës.

Në skenarin më optimist, kufijtë e jashtëm të Bashkimi Europian do të hapen në shtator. Ky bllokim do të prekë si vendet europiane jo anëtare të bllokut, ashtu edhe tregjet më të mëdha në botë të aviacionit, ShBA-në dhe Kinën. Parashikohet se sektori i aviacionit civil nuk do të kthehet në normalitet, të paktën përpara vitit 2022, duke shënuar një rënie prej 40 deri në 50 për qind.

Shumica e kompanive ajrore kanë kërkuar ndihmën e qeverive për të përballuar kostot në këtë kohë krize të paprecedentë globale.Një prej kompanive më të mëdha ajrore të Europës, Air France-KLM, humbi vetëm pas dy javësh bllokimi 815 milionë euro, ndërsa kreu ekzekutiv Ben Smith, parashikon se rimëkëmbja do të kërkojë të paktën disa vjet.

“Nuk presim që të rikthehemi në nivelet e vitit 2019, të paktën deri në 2022-n,” thotë ai.

Deri tani Air France-KLM, ka marrë deri tani 7 miliardë euro nga qeveritë e Francës dhe Holandës dhe pret edhe dy deri në katër miliardë euro të tjera, ndërsa synon të reduktojë humbjet duke kursyer deri në 350 milionë euro në muaj.

Grupi parashikon humbje të konsiderueshme në periudhën prill – qershor, pasi 95 për qind e flotës ajrore do të mbetet në tokë, ndërsa në tremujorin e tretë pritet të shfrytëzohet rreth 80 për qind e kapacitetit të flotës pasi udhëtimet do të rifillojnë gradualisht.

Që nga 11 maji do të hyjë në fuqi rregulli i vendosjes së detyruar të maskës për pasagjerët, ndonëse që tani një pjesë e personelit e zbaton këtë. Ndërsa që tani ka filluar edhe pastrimi dhe dezinfektimi periodik për të garantuar sigurinë e pasagjerëve.

Shqetësimi kryesor për industrinë e aviacionit civil është bllokimi i vazhdueshëm i fluturimeve në Shtetet e Bashkuara që përbën dhe tregun kryesor për kompanitë europiane.

LEAVE A RESPONSE