LAJME

KURTI: PO IA HOQE NJË DEPUTET TË LISTËS SERBE, QEVERIA “KOTI” KOLAPSON (Video)

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti deklaron se qeveria Hoti jo vetëm që ka marrëveshje me qeverinë serbe, por varet nga secili deputet i Listës Serbe.

Ai në një intervistë për KosovaPress, ka theksuar se vendi ka nevojë për zgjedhje të reja pasi qeverinë aktuale e cilëson si qeveri “Koti” dhe të paligjshme.

“Kur ne themi se këtë qeverinë aktuale e konsiderojmë si qeveri Koti dhe të paligjshme ne kemi thënë krejt çka është e nevojshme të thuhet për këtë qeveri , çdo gjë tjetër mund të jetë veçse përsëritje, nuk e kanë as legjitimitetin as kredibilitetin. Kemi nevojë për zgjedhje të reja në mënyrë që të dalim me Kuvendin të ri dhe të kemi rikthim të qeverisjes së mirë e cila në këta katër muaj e ka ndalur edhe gjakderdhjen financiare e ka zvogëluar vetën, i ka ulur pagat vetvetes edhe e ka forcuar shtetin. Por, për këtë gjë pas peticionit natyrisht duhet të vijë realizimi i këtij vullneti të qytetarëve për një freskim të legjitimitetin institucional. Tash qartazi janë duke e pritur Serbinë sepse ajo i ka zgjedhjet dhe do ketë edhe qeveri të re, sepse e kanë Serbinë brenda në mënyrë vendimmarrëse…Qeveria Koti e ka edhe marrëveshjen me qeverinë serbe, edhe varet jo vetëm nga Lista Serbe por edhe nga secili deputet i Listës Serbe. Deputeti i Listës Serbe as për së afërmi nuk ka vendimmarrje në Listën Serbe sa ka vendimmarrje në qeverinë e Kosovës. Një deputet të Listës Serbe po ia hoqe kësaj qeveria kolapson ndonëse nuk mund të thuash se qëndron edhe ashtu”, tha ai.

Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti teksa ka folur për menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe lehtësimin e masave nga Qeveria Hoti.Kurti thotë se çdo gjë që devijon nga qeverisja e tij sa i takon lehtësimit të masave në kohën kur kemi shtim të rasteve pozitive me COVID19 do jetë gabim.

“Qeveria Koti i ka të gjitha gjërat e trasuara nga qeveria jonë e re e mirë e cila për këto 4 muaj ka dëshmuar që mundet shumë më ndryshe dhe shumë më mirë. Çka do që devijojnë veçse gabojnë. Mirëpo, atyre u mungon edhe kredibiliteti edhe legjitimiteti, pra edhe po propozuan ndonjë gjë që është e hajrit, ata ose se implementojnë dot ose e deformojnë në implementim”, tha ai.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje e ka përshëndetur interpelancën për masën e reciprocitetit e kërkuar nga grupi parlamentar i partisë që ai e udhëheqë.Megjithatë e quan të pakuptim që një shtet i pavarur t’ia heq reciprocitetin Serbisë e cila ka sjellje armiqësore ndaj Kosovës.“Mendojë që është shumë mirë që po bëjnë interpelancë për ta mbrojtur reciprocitetin, meqenëse është i pashembullt jo vetëm në historinë tonë që dikush t’ia heqë vetës të drejtën sovrane për raporte reciproke me fqinjët, e në këtë rast para se gjithash e mbi të gjithash me Serbinë. E cila me qëndrimet e veta dëshmon se është vend dhe shtet armiqësor ndaj nesh. Pra, nuk ka kuptim që shteti i pavarur vetvetes t’ia heq reciprocitetin me një vend i cili tregohet armiqësor”, deklaroi Kurti.

Qeveria e Kosovës nën udhëheqjen e Albin Kurtin nga 1 prilli i këtij viti pati vendosur masën e reciprocitetit, kështu duke e hequr taksën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë. Me të ardhur në krye të qeverisë së Kosovës kryeministri, Avdullah Hoti ndër vendimet e tij të para ishte heqja e masës së reciprocitetit e cila ishte parë si pengesë nga pala serbe për dialogun Kosovë-Serbi.

LEAVE A RESPONSE