Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti sot u takua me ambasadorin e Italisë në Prishtinë Nicola Orlando, ku edhe në këtë takim kërkoi zgjedhje të reja, shkruan Gazeta Metro.
Kurti ka ritheksuar nevojën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja që sipas tij do të nxirrnin një qeveri legjitime dhe e cila do të ketë besueshmërinë qytetare për të udhëhequr me vendin.
Në takim u fol edhe për bisedimet e paralajmëruara në Washington mes palës kosovare dhe asaj serbe, me ndërmjetësimin e SHBA-së, situatën politike në vend dhe gjendja me pandeminë COVID-19.
Ky është njoftmi i Vetëvendosjes:
Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, priti sot në takim ambasadorin italian në Kosovë, z. Nicola Orlando.
Në këtë takim miqësor me ambasadorin z. Orlando u fol për situatën politike në vend, rëndimin e mëtejmë të sistemit shëndetësor me përhapjen e virusit Covid-19 që tashmë e ka listuar Kosovën si të parën në botë për nga numri i të vdekurve për një milion banorë, si dhe për mundësitë që parasheh Lëvizja VETËVENDOSJE! për të dalë nga kjo situatë që ka rënduar shoqërinë tonë edhe në aspektin ekonomik.
Kryetari Kurti e njoftoi ambasadorin Italian me Qeverisjen Alternative të Lëvizjes, idetë mbi atë se si të dilet nga kjo krizë e shumëfishtë që ka kapluar vendin. U diskutua edhe për situatën në rajon e bisedimet e paralajmëruara në Washington DC. Kryetari Kurti tha se vendi ka nevojë për menaxhim të mirë e profesional dhe për një qeveri tjetër me kredibilitet e autoritet. Prandaj ai ritheksoi nevojën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja që do nxjerrnin një qeveri të re, që ka si legjitimitetin ashtu edhe besueshmërinë qytetare për të qeverisur me vendin./gazetametro.net