Kurti: Të bëhemi bashkë, të mos rrezikojmë jetët e qytetarëve me ping-pong politik

Posted by

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka ripërsëritur se parandalimi i Covid-19 është jetik, duke shtuar se nuk mund të zëvendësohet parandalimi me testim.

“Ne kemi ndërmarrë masat, pasi është e domosdoshme të parandalojmë përhapjen e Covid-19 dhe rastet e reja që dalin sot janë të vjetra dy javë. Unë dua të theksoj që nuk është testimi zëvendësim për parandalimin, parandalimi nuk ka alternativë. Në njërën anë kemi njerëz me koronavirus, por që nuk kanë simptoma dhe në anën tjetër kemi njerëz që kanë simptoma të lehta dhe në teste dalin negativë, ndonëse e kanë koronavirusin”.

“Është virus i panjohur për të cilin nuk kemi as vaksinë dhe as anti-viral, prandaj parandalimi është shpëtimi. Unë ju lus të gjithëve që të mos e shmangim vëmendjen nga parandalimi te testimi, sepse parandalimi është vendimtar. Ideja që parandalimi zëvendësohet me testim shkakton relaksim dhe nuk na ndihmon gjë, përkundrazi”.

Ai ka thënë se pas datës 4 maj, deri kur janë në fuqi masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë, do të mund të merren masa të reja ose të vazhdohen të njëjtat – varësisht vlerësimit të situatës, njofton Klan Kosova.

“Para datës 4 maj me siguri që Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK do të mblidhen për të bërë vlerësim të masave dhe më pastaj do ta keni formën politike të opinionit të tillë empirik dhe shkencor. Nuk marrim vendime politike, as si Qeveri dhe as Ministria e Shëndetësisë, pa rekomandime shkencore. Jemi në një situatë kur vendimet tona kanë më shumë udhëheqje shkencore sesa demokratike, çfare jemi mësuar të shohim”.

Kurti ka thënë se ai dhe partia e tij vazhdojnë të kenë qëndrimin e njëjtë – zgjedhje pas përfundimit të pandemisë Covid-19.

“Ne vazhdojmë të kemi qëndrimin tonë se pas mocionit të mosbesimit dhe pas kalimit të pandemisë, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare. Është rrënuese për demokracinë qasja me të cilën dëshiron të rrëzosh qeveri pa qenë i gatshëm për zgjedhje të reja. Është qasje tjetërsuese dhe manipulative”.

“E kuptoj që do të ishte mirë që të kishim qeveri taman me mandat të plotë në vend se qeveri në detyrë, por s’ka detyrë që kjo qeveri nuk po e kryen dhe nuk është faji jonë që jemi qeveri veç se në detyrë”.

“Do të duhej që të jemi të gjithë bashkë kundër Covid-19 dhe të mos rrezikojmë jetët e qytetarëve me ping-pong politik. Unë flas për qëndrimet tona, por jo edhe në emër të të tjerëve që qartazi kanë orientime të tjera”.

Leave a Reply