LAJME

La Liga zyrtarizon kthimin e skuadrave në stërvitje

Klubet e futbollit në dy ligat elitare të Spanjës do të kthehen në stërvitje individuale këtë javë, për herë të parë që kur aktiviteti është ndërprerë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Ndërkohë synim është që kampionati spanjoll i futbollit të vazhdojë gjatë qershorit. Këtë e ka bërë La Liga të hënën përmes një deklarate zyrtare.

Në komunikatë thuhet se klubet do t’iu përmbahen protokollit të ligës për kthim në stërvitje. Protokolli është përgatitur në marrëveshje me autoritetet e Spanjës për sport dhe shëndetësi, ndërsa vlerësohet se ai garanton siguri për lojtarët dhe stafin.

Protokolli obligon lojtarët që t’iu nënshtrohen testimeve për koronavirus para se ata të kthehen në qendrat stërvitore.

“Këto masa mbulojnë periudhë prej rreth katër javësh, me faza të ndryshme. Në çdo rast do t’i përmbahemi përshkallëzimit të masave nga qeveria”, thuhet në komunikatën e ligës spanjolle.

“Së bashku me testet mjekësore të kryera nga klubet, do të bëhet një kthim i kujdesshëm në stërvitje, që do të fillojë me stërvitje individuale të lojtarëve. Aktivitetet në grup do të mundësohen para kthimit në garë, që është planifikuar për qershor”.

LEAVE A RESPONSE