Lajçak kundër Kurtit për masat e reja të reciprocitetit: Veprimet e tilla minojnë rifillimin e dialogut (VIDEO)
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për masa të reja të reciprocitetit me Serbinë.
Lajçak është shprehur i zhgënjyer pas vendimit, duke thënë se veprime të tilla pengojnë rifillimin e dialogut, duke kërkuar që këto masa të lragohen menjëherë.
“I zhgënjyer për masat e reja të reciprocitetit, të vendosura nga qeveria në detyrë e Kosovës. Veprime të tilla të njëanshme e minojnë rifillimin e dialogut dhe duhet të largohen menjëherë. Siç është thënë vazhdimisht, ne presim që të dyja palët në dialog t’i zbatojnë dhe t’i respektojnë marrëveshjet e kaluara”, ka thënë Lajçak.
Sipas njoftimit të Qeverisë, plotësim-ndryshimi i vendimit të mëhershëm për marrëdhëniet tregtare me Serbinë, nënkupton ndalimin e dokumenteve për produktet bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve që përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, emrat e vendeve në Republikën e Kosovës, por pa emërtimin e shtetit, që nuk i referohen me Republika e Kosovës dhe përmbajnë çfarëdo elementi që mohon pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka sqaruar pse është marrë vendimi për futjen e masave të reja në reciprocitetin ndaj Serbisë.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, duke thënë se kjo është e papranueshëm për Serbinë.
Shefi i diplomacisë serbe tha se Serbia nuk do ta vazhdojë dialogun derisa këto masa nuk shfuqizohen. /Telegrafi/