Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka bërë të ditur nëse do të takojë nesër ndërmjetësuesin e BE-së për dialogun me Serbinë, Miroslav Lajçak. Për këtë të fundit, i pari i shtetit tha se duhet të kuptojë se Kosova është e pavarur, dhe se vetëm me qasjen për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë do të ketë sukses. Ndërkaq, çdo qasje tjetër, sipas tij do të dërgojë në dështim të tij dhe vet BE-së.
“Unë nuk jam i informuar për agjendën dhe përmbajtjes së vizitës së Lajcakut në Kosovë. Nuk është koha më që të hapen çështje teknike, me pretendime për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Lajçak duhet të kuptojë se Kosova është e pavarur dhe sovrane. Nëse vjen me këtë objektivë dhe qasje që duhet të përmbyllet me njohje reciproke është i mirëseardhur. Çdo qasje tjetër është e dështimit të tij në Kosovë, por edhe vet të BE-së” ,u shpreh ai.
Këto komente, presidenti Thaçi i bëri pas takimit të sotëm me kryeministrin, Avdullah Hoti.
Ky i fundit theksoi se nesër do të presë në takim ndërmjetësuesin evropian, tha se pas këtyre takimeve po formësohet struktura e procesit të dialogut.
“Lajçak vjen nesër në Prishtine për të prezantuar këtë qëndrim tonin. Unë kam qenë komunikim me të komplet gjatë gjithë javës së kaluar me të dhe ambasadorë të tjerë të Qunit-it. Unë besoj që ngadalë po formësohet dhe unifikohet qëndrimi i të gjithë institucioneve të Kosovës sa i përket dialogut…ne jemi të gatshëm e kemi artikuluar të qartë qëndrimin tonë si qeveri. Kam komunikuar edhe me presidentin, do të kemi të mërkurën takim edhe me shoqërinë civile. Ngadalë ne po e formësojmë komplet konjukturën e procesit të dialogut. Do të kem komunikim edhe me Kuvendin e Kosovës në këtë drejtim. Sa i përket neve jemi të gatshëm të shkojmë” , tha ai.
Ndërmjetësuesi i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak nesër do të vjen në Kosovë dhe do të qëndrojë tri ditë për të takuar me krerët institucional dhe politik.