Liburn Aliu nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se kjo parti është paqësore, prandaj edhe mjetet që do të përdorin për të rezistuar ndaj krijimit të qeverisë së re do të jenë paqësore.
Ai tha se një ndër këto mjete është edhe peticioni që ka organizuar Vetëvendosje nga e hëna për të kërkuar zgjedhje, njofton Klan Kosova.
“Lëvizja jonë është paqësore dhe veprimet tona do të jetë tërësisht paqësore dhe me mjete sa më legjitime. Pjesë e këtyre veprimeve tona është pikërisht edhe ky peticion, por aktivitetet politike që do të kemi si lëvizje do të njoftoheni në vazhdimësi”.
Aliu në një konferencë për media tha se Vetëvendosje në seancën që do të mbahet për themelimin e qeverisë së re do të jetë kundër. Megjithatë ai nuk zbuloi mënyrën se si do ta shprehin kundërshtimin e tyre.
Ai gjithashtu shtoi se nuk do t’ia kenë nevojën rezistencës në mënyrë radikale pasi që, sipas tij, kanë popullin prapa.
“Përkrahja qytetare tregon që do të jenë të panevojshme çfarëdo mjeti tjetër, sepse do të jetë vullneti i qytetarëve ai që do të realizojë atë. Ne besojmë shumë te qytetarët dhe te e drejta. Vullneti qytear historikisht nuk ka lejuar që të ketë devijime që e çojnë Kosovën në humnerë. Më i rëndësishëm se çdo veprim tjetër është vullneti qytetar”.
Ndërsa, për organizimin e protestave me 5 qershor, Aliu mohoi se VV është organizatorja duke thënë se njëherë nuk kanë nevojë për to.
“Nuk i kemi organizuar ne edhe pse jemi nën presion nga aktivistët dhe qytetarët. Protestat janë pjesë e Vetëvendosjes, ne si përjashtojmë asnjëherë, por njëherë për njëherë s’ka nevojë për protestë”.
“VV është më komode se kurrë sepse ka legjitimitet dhe mbështetjen e qytetarëve. Puna jonë prej themelimit ka qenë në funksion të vetëdijesimit të popullit sepse ne synojmë të kemi një popull të vetëdijshëm që e ndryshon situatën. Në këtë aspekt jemi komodë. Kemi pasë projekte shumë të rënda për ta vetëdijesuar qytetarët për proceset e dëmshme, por tashmë s’kemi nevojë për ta bërë këtë sepse ka një vetëdije qytetare që është më e vlefshme se çdo gjë tjetër”.

