Shkruan: Asdren Rrahmani

Sot nuk do të dëshiroja që fare të shkruaja në ditarin tim. Me më shumë dëshirë do të rrija i mbyllur kështu në karantinë, si edhe e mbarë bota, përveçse mbylljes sime i është shtuar edhe karantina nga turpi se çfarë njerëzish na përfaqësojnë. Në fakt, sigurisht keni lexuar shumë shpesh lajme se si në një kontejner bërlloku është gjetur një foshnjë e porsalindur. Cilat janë mendimet e para, të cilat u bien në kokë? Janë pikërisht pyetjet se çfarë nëne mund të jetë ajo, e cila e hedh foshnjën e porsalindur në kontejner mbeturinash? E mban në barkun e saj për 9 muaj dhe më pas një qenie të porsalindur aspak fajtore e hedh në kontejner mbeturinash.

Nuk mundemi t’i paragjykojmë arsyet e ngjizjes së asaj foshnje. Kënaqësi e momentit, lidhje jo e aprovuar, marrëdhënie pa mbrojtje dhe mosdëshirë e të atit për ta pranuar atësinë, në një shoqëri me rrënjë të thella patriarkale të gjitha këto mbesin pyetje valide, mirëpo analogjia të cilën unë dëshiroj që të bëj është se sot populli i Kosovës është ajo foshnja e porsalindur e hedhur në kontejner mbeturinash. E jashtë kontejnerit? Jashtë tij mbretëron një pandemi, e cila është duke e gjunjëzuar edhe botën. As që dëshiroj të paramendoj se çfarë do të mund t’i bëjë një vendi të vjedhur e të shkatërruar, si Kosova.

Po mundohem që t’i ruaj edhe arsyeshmërinë, edhe gjakftohtësinë, por po e kam mjaft të vështirë që t’i menaxhoj që të dyja. Nuk jam tip impulsiv, mirëpo kur të mbështetë jeta me këso ngjarjesh, të cilat të mbështesin për muri me dilemat se si ta menaxhosh këtë situatë dhe si ta kursesh veten tënde nga vrulli emocional, i cili të kaplon, atëherë aty-këtu edhe mund që të shpëtojë ndonjë fjalë apo veprim i pamenduar apo i pamatur mirë. Prandaj, paraprakisht do t’ju kërkoj falje për ndonjë fjalë mllefi që mund të më rrëshqasë gjatë shkrimit të këtij ditari.

T’i kthehemi seancës për mocion ndaj Qeverisë Kurti të ngritur nga vetë partneri i saj i koalicionit, Lidhja e Dështakëve të Kosovës. Nuk do të ndalem në analiza të fjalimeve aq irrituese për veshët dhe nënçmuese për intelektin. E di se asnjëri nga ju me dëshirë nuk do të dëshironit për t’i rikujtuar ato momente, por për mua ishte si një dejavu. Kam aq vite sa të kujtoj shumë mirë suprimimin e autonomisë së Kosovës nën trysninë dhe rrethimin e Kuvendit me tanket luftarake të Serbisë. Edhe dje ishte e njëjta ndjesi, Kosova po e humbte Qeverinë e saj të zgjedhur legjitime nën trysninë e koronavirusit, kësaj radhe global dhe joserb. Por më e rrezikshme se pandemia e shpallur e COVID-19 u tregua PANdemia përbrenda Kuvendit dhe mocioni i nisur nga Lidhja e Dështakëve të Kosovës. Po kush rrëzon qeveri në kohë pandemie more kokëtula dhe shpirtra të shitur?

Amerika paska thënë a? Tash ju tregoj unë pak për Amerikën debila dhe bakcilë të tredhur të popullit.

A e mbani ndërmend kur ndodhi një uragan në SHBA, atje në New Orleans, para ca viteve? Çka ndodhi më pas? Pasi që shkaktoi vërshimet dhe dëmtimet e mëdha, njerëzit u sulën me armë në plaçkitje të gjithmbarshme. U vu edhe ora policore në mënyrë që masat e njerëzve të viheshin nën kontroll. Dhe kjo ndodhi vetëm në rajonin përreth New Orleans. Skena të ngjashme ndodhin në Amerikë sa herë që ndodh ndonjë katastrofë natyrore ose sociale. Atje shumica e shteteve e kanë të lejuar me ligj armëmbajtjen nga ana e popullatës civile. Tash Amerika ashtu si edhe pjesa e tjetër e globit po ballafaqohet me pandeminë e koronavirusit. Presidenti i saj, deri ditë më parë, totalisht e injoroi atë duke e quajtur edhe aspak të rrezikshme, por vetëm një ftohje e vogël. Masat e vonshme të parandalimit atij dhe Shtëpisë së Bardhë do t’i shndërrohen në një makth të gjallë. Nga këndvështrimi im duke e njohur sadopak atë mentalitet kaubojësh, sfida e Qeverisë së tij përveç parandalimit të virusit do të jetë edhe parandalimi i trazirave qytetare. Ju i dini Black Fridays dhe stampedot e blerësve në qendrat e shopingut për të blerë një toster apo një mikser më të lirë, eventualisht një plasma TV. Tashmë dyqanet kanë filluar që të rrallohen, fillimisht nga letrat e tualetit e më pas nga artikujt e tjerë. Me të gjitha ato armë në duar të popullatës civile e karantinat që do të pasojnë skenat e mundshme, u ngjasojnë filmave apokaliptikë hollywoodianë. Kjo do të jetë një Amerikë e mundshme e një të ardhmeje të afërt. Për pasojat ekonomike të kësaj pandemie tash është herët që të flasim dhe ti dimë ato saktësisht, mirëpo duke e njohur se sa i egër është sistemi kapitalist amerikan atje shumë njerëz do të kenë shumë për të humbur. Po jam në dijeni se Qeveria është duke i shikuar mundësitë e votimit të përshpejtuar të ligjeve, ku secila familje, e cila i ka të ardhurat nën 75K në vit, të ndihmohet me një shumë prej 1.100 dollarësh apo diçka ashtu e përafërt. Brenda natës, Amerika kapitaliste e egër do të na dalë si një shtet socialist me kujdesin ndaj qytetarit të saj.

Ajo çfarë dua ta them është se bota pas kësaj pandemie, e cila një ditë do të përfundojë, kurrë më nuk do të jetë ajo botë të cilën e lamë pas, para karantinës dhe shpërthimit të saj. Prioritetet edhe objektivat e shteteve do të ndryshojnë. Rimëkëmbja e shoqërive nga pasojat ekonomike, humbjet e mëdha në jeta njerëzish, mosmenaxhime adekuate të masave parandaluese adekuate, do të ngrejë shumë pyetje në shoqëritë demokratike. E në të gjitha këto prioritete dhe objektiva të ndryshuara të këtyre vendeve dhe shteteve, ku do të mbetet Kosova në agjendën e tyre. Si diplomat i rryer që jam do ua them troç. Kosova nuk do të jetë ASKUND dhe temat e ngritura para pandemisë për zgjedhjen e problemeve me Serbinë nuk do të jenë aspak një temë që ndonjë qeveri e ndonjë vendi do t’ua servonte votuesve të tyre. Po ne atë e kemi parë edhe me problematika më të vogla të vendeve të tyre, sesa një pandemi me përmasa globale e cila së paku në Evropë dhe në Amerikë është në fillet e saj. Jemi dëshmitarë të asaj se çfarë katastrofe njerëzore është duke i shkaktuar Italisë dhe Spanjës në këto momente.

Dhe çka ndodh në Kosovë? Lidhja e Dështakëve të Kosovës dhe PANdemia me 82 vota pro në Kuvendin e Kosovës votojnë pro mocionit për rrëzimin e Qeverisë? A mendoni se do të mërzitet fort Grenelli për prapanicat e juaja tani me kalimin e javëve? Injorantë shpirtligë dhe matrapazë çfarë nuk i meritoj ky popull. Kontrabandues të vullnetit të popullit nga njerëz me 0 vota e 0 kredibilitet partiak e shoqëror. Edhe kjo pandemi do të përfundojë, shpresoj që me pasojat sa më të vogla në popull, por ju e keni nënshkruar në ballin tuaj vlerën e tradhtarëve të popullit, të cilët për egot dhe kapriçot e juaja jeni të gatshëm të lini atë foshnjën në kontejnerin e mbeturinave të rrethuar me pandemi. Llogaritjet i keni bërë shumë të gabuara dhe unë e di se dita do të vijë dhe më nuk do t’i shohim fytyrat tuaja të pështira nëpër TV-të tona. U pamë dje me maska në fytyrë, por lakuriq.

Për fund, do t’i kthehesha vetëm pak fjalimit të kryeparlamentares, znj.Vjosa Osmani, dhe pjesës kur ajo e lexoi porosinë e shkurtër nga vajza e Nekibe Kelmendit, Kosovares, që ishte aq mesazh prekës dhe nga i cili nuk e di se më do të kthjellem ndonjëherë! Arsyet janë edhe personale.

Kosovare, motër e dashur kështu të kam quajtur qysh se di për veten. Më ka rastisur me e taku tezën Nekibe në rrugë (shpirti i pastë ndjesë). Mu ba duçi në fyt. Çfarë t’i thosha? Si ta ngushëlloja? Sigurisht kishte më shumë se 30 vjet që ajo nuk më kishte parë dhe dyshoja se edhe do të më njihte? Por çfarë t’i thosha tezës Nekibe, si ta përshëndesja, si ta ngushëlloja? Ne vetëm mbetëm ashtu në rrugë, duke i shkëmbyer shikimet, ndërkohë me sytë e mi të përlotur, duke mos pasur as fuqinë që t’i afrohesha, t’i prezantohesha se kush isha, sepse Dreni i vogël tashmë ishte ba burrë dhe ajo nuk më kishte parë gjithë këto vite. Por, tezja Nekibe duhet të ketë takuar me qindra e mijëra njerëz në rrugë, të cilët mund të jenë përlotur për fatin dhe forcën e kësaj gruaje dhe unë mund të kem qenë vetëm njëri nga ta.

Kosovare, motër më prekën shumë fjalët e tua të dala nga shpirti yt i çiltër. Ti që kurrë nuk përfitove mbi tragjedinë e përjetuar familjare, një grua intelektuale e kompletuar dhe me integritet ashtu qysh gjithnjë të kam njohur motër e dashur. Për prindërit e tu dhe veprat e tyre flet vetë puna e tyre, të cilën ata e kanë bërë Kosovare, atë punë, angazhim dhe sakrificë ua di mbarë populli dhe unë shumë mirë e di se çdo të thotë ajo në jetë dhe si të bënë të ecësh ballëhapur dhe krenare me kokën lart. Tezja Nekibe qenka nënçmuar nga Lidhja e Dështakëve të Kosovës edhe për së gjalli, edhe dje në seancë për së vdekuri të saj.

Me vdekjen e Ibrahim Rugovës ka vdekur edhe Lidhja Demokratike, të cilën e kemi njohur, në të cilën prindërit e tu kanë pasur aq shumë angazhime dhe kontribute.

Motër të kam mbetur borxh që të vij aty në avokaturë dhe të dalim për kafe apo drekë, apo çka do qoftë dhe të çpërmallohemi. Të dua motër!

P.S. Albin kësaj radhe po të kursej, nuk kam mesazh për ty. Punë të mbarë.

By admin

Leave a Reply