Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka marrë pjesë në takimin virtual me përfaqësuesit e institucioneve dhe liderët e subjekteve politike, të organizuar nga intelektualët shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në SHBA.
Limaj tha se shpreson që takimi i sotëm t’i ketë kontribuuar rritjes së konsensusit mes faktorit politik në Kosovë disa ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë.
“Është shumë me rëndësi që në temat nacionale, siç është dialogu, të jemi të gjithë bashkë dhe ta çojmë mesazhin se jemi gati për marrëveshjen përfundimtare, e cila në zemër e ka njohjen reciproke”, ka shkruar Limaj.
Postimi i plotë:
Sot me kënaqësi mora pjesë në takimin virtual me përfaqësuesit e institucioneve dhe liderët e subjekteve politike, të organizuar nga intelektualët shqiptarë, që jetojnë dhe veprojnë në ShBA.
Në takimin e sotëm ku diskutuam rreth platformës dhe koordinimit sa më të mirë për procesin e dialogut, organizatorët i përgëzova për këtë iniciativë të qëlluar dhe i falëndërova për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në funksion të promovimit të shtetit tonë në ShBA.
Takimi i sotëm virtual shpresoj t’i ketë kontribuuar rritjes së konsensusit mes faktorit politik në Kosovë disa ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë. Është shumë me rëndësi që në temat nacionale siç është dialogu të jemi të gjithë bashkë dhe ta çojmë mesazhin se ne jemi gati për marrëveshjen përfundimtare, e cila në zemër e ka njohjen reciproke.
Po ashtu, vlerësoj lart përkushtimin e ShBA-ve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë dhe dëshmia më e mirë që e konfirmon interesimin e tyre për përmbylljen e këtij procesi është takimi i 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë. Sa herë që Kosova ka qenë e koordinuar me miqtë tanë amerikan vendit nuk i kanë munguar asnjëherë rezultatet pozitive.