LAJME

Marshi për demokraci, ja sa persona vërshuan rrugët e Shkupit (VIDEO)

Mbi 10 mijë persona morën pjesë në marshin për demokraci të organizuar nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

Protestuesit me flamuj kombëtarë, flamuj të BE-së dhe SHBA-së, duke brohoritur “Demokraci” e duke fërshëlluar, vërshuan rrugët e kryeqytetit.

Ata mbanin në duar pankarte me mbishkrimet “Krimi Shtetëror Zgjedhor”, “Na varfëruat që të na bleni”, “Hajnat në burg e jo në Qeveri” si dhe një transparent ku thuhej “Marshi Për Demokraci”. Protestuesit marshin e tyre e filluan në parkun e Çairit, kaluan para Qeverisë dhe ndaluan para Zyrave të Delegacionit të BE-së, për të përcjellur mesazhet e tyre, që madje nëpër pankarte ishin të përkthyera edhe në gjuhën angleze. Në deklaratën e Marshit Protestues mes tjerash theksohet se B.D.I nuk do ta ketë asnjëherë legjitimitetin e përfaqësimit të popullit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

Deklarata e Marshit Protestues: “Kjo edhe është arsyeja që sonte jemi këtu për të deklaruar se për ne Bashkimi Demokratik për Integrim nuk është fituesi i këtyre zgjedhjeve, por është grabitësi i vullnetit politik shqiptar dhe, rrjedhimisht, ai mund ta ketë legalitetin që ia njeh i a.q. Komision Shtetëror i Zgjedhjeve, por kurrë nuk do ta ketë legjitimitetin e përfaqësimit të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.”

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi para protestuesve tha se mesazhi kryesor të cilin ata e japin nëpërmjet këtij marshi është se loja nuk ka përfunduar ende. Gashi nënvizoi se porosia e parë shkon për partitë maqedonase, të cilëve u thonë që të mos lejojnë të nëpërkëmbet siç tha ai, legjitimiteti i shqiptarëve. Ndërsa porosia e dytë sipas Gashit, shkon për BE-në nga ku kërkojnë që ta ndihmojë vendin si dhe shqiptarët që të përfaqësohen prej popullit dhe zërit të tyre.

Afrim Gashi, Alternativa“15 korriku i vitit 2020 do të mbahet mend në historinë politike shqiptare si dita e vjedhjes masive të votës shqiptare. Por ama 27 korriku i vitit 2020 do të mbahen mend si dita e rezistencës shqiptare kundër kësaj vjedhje. Më vjen keq që njerëzi që udhëhoqën me institucionet e vendit dhe përfaqësuan shqiptarët për 18 vite me radhë e bën gjënë më të shëmtuar: i sollën shqiptarët në prag të varfërisë që i sollën në pikën ku ata do të duhet ta shesin edhe votën e tyre. E pastaj me parët që ua vodhën atyre shkuan dhe i blejtë ato vota. Këtë nënçmim, këtë përbuzje nuk ua ka bërë askush deri sot shqiptarëve. Trupë ju qoftë.”

Kryetari i ASH-së, Ziadin Sela tha se ky koalicion do ta mbrojë sigurinë, lirinë dhe të drejtën e shqiptarit për të jetuar lirinë, se ky koalicion nuk do të dorëzohet në asnjë moment, dhe njësoj siç janë treguar të civilizuar në këtë protestë dhe në ditën e zgjedhjeve, legjitimitetin do ta sjellin në duar të sigurta. Numri një i Aleancës për Shqiptarët theksoi se pikërisht nga KSHZ është përgatitur manipulimi dhe vjedhja e votës më 15 korrik.

Ziadin Sela, Aleanca Për Shqiptarët“Kemi kërkuar që të kemi anëtarin në KSHZ që të mbrojmë votën e qytetarëve por nuk na kanë dhënë as përgjigje. Ata e dinin pse? Sepse me atë të drejt do të fitojmë në gjykatën administrative. Ky është vendi i krimit ku u vodh ardhmëria e shqiptarëve. Ne e dhamë kontributin tonë që një pjesë e regjimit të bie në zgjedhjet e kaluara, tash është koha që të bie edhe gjysma tjetër e regjimit. Ata vetëm legjitim nuk janë. Legjitimiteti ka vetëm një formë për tu arritur, legjitimiteti  donë procedurë demokratik të drejtë, nuk pranon shantazhin, nuk pranon blerjen dhe vjedhjen e aq më pak nuk pranon mbushjen e kutive.

Nëpërmjet këtij marshi dhe para zyrave të delegacionit të BE-së në Shkup, protestuesit kërkuan nga vendet e BE-së, që të dënohet abuzimi me të drejtën e votës dhe të mos njihet siç thanë ata, legjitimiteti i B.D.I-së si përfaqësuese e shqiptarëve në RMV. Më tej kërkuan që me ndihmën e BE-së të fillojë procesi i reformimit rrënjësor të Kodit Zgjedhor, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të jenë shembull i mirë se vendi i ka përmbushur standardet europiane për zgjedhje të drejta dhe demokratike.

LEAVE A RESPONSE