Policia e Kosovës, gjatë javës së tretë të muajit prill, ka arrestuar 315 persona për mosrespektim të masave ndaj pandemisë Covid-19.
Krahasuar me javën e dytë të muajit prill, ku kanë qenë të arrestuar 563 persona, në javën e tretë të këtij muaji, përkatësisht nga 15 prilli e deri më sot, ky numër është më i vogël.
Sipas raporteve 24 orësh të publikuara nga ana e Policisë së Kosovës, në rajonin e Prishtinës nga 15 prilli e deri më tani janë paraqitur 46 raste të cilat kanë rezultuar me arrestimin e 105 personave të përfshirë.
Pas rajonit të Prishtinës, numri më i madh i rasteve janë paraqitur në rajonin e Prizrenit me 50 raste, ku janë arrestuar 103 persona të përfshirë.
Ndërsa rajoni i Pejës ka raportuar 16 raste me 41 persona të përfshirë, kurse ai i Gjakovës me 10 raste dhe 30 persona të arrestuar.
Tutje, Komuna e Ferizajit ka raportuar 7 raste me 13 persona të përfshirë dhe ajo e Gjilanit 6 raste me 9 persona të arrestuar.
Sipas raporteve të publikuara nga ana e PK-së, në Komunën e Mitrovicës së Jugut dhe Veriut, janë paraqitur 10 raste me 23 persona të përfshirë.
Ndryshe gjatë kësaj jave është raportuar edhe për një rast dhe një person të përfshirë në Departamentin e Kufirit.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.