Ekspozenë për 100-ditëshin e parë të kësaj qeverie, kryeministri Albin Kurti e ka bërë më 13 maj.
Qeveria e Kosovës është votuar më 3 shkurt. Rreth 50 ditë pas LDK-ja ka iniciuar mocion mosbesimi me të cilin e ka shkarkuar Qeverinë e drejtuar nga Kurti.
Albin Kurti para pak ditësh ka mbushur 100 ditët e para si shef i Qeverisë së Kosovës, e prej 100 ditëve gjysmën apo saktësisht 49 i ka vetëm në detyrë, pasi më 25 mars është shkarkuar me shumicë votash në Kuvendin e Kosovës.
Kështu Qeveria Kurti është ndër qeveritë më jetëshkurtër që nga paslufta në Kosovë.
Sipas dokumenteve që ka siguruar FaktePlus, nga kërkesa për qasje në dokumente shihet se për paga, bileta të udhëtimit jashtë vendit, akomodim gjatë udhëtimit jashtë vendit dhe shpenzime të telefonisë, qeveritarët kanë marr nga buxheti i shtetit 77 mijë e 200 euro e 64 cent.
Vetëm kabineti i Albin Kurtit për 100 ditë qeverisje ka shpenzuar mbi 45 mijë euro.
Kabineti i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për bileta të udhëtimit jashtë vendit kanë shpenzuar 1 mijë e 144 euro.
Zyrtarët kur udhëtojnë jashtë vendit sigurohen që të kenë edhe akomodim. E vetëm për akomodim jashtë vendit kabineti i Kurtit ka shpenzuar nga buxheti i shtetit 801 euro.
Për këto udhëtime jashtë vendit, kabineti i Kurtit mori edhe mëditje.
Vetëm për mëditjet e kabinetit jashtë vendit, janë dhënë 273 euro.
E ky kabinet ka harxhuar hiç më pak se 1 mijë e 951 euro nga buxheti për telefon.
Shpenzime në udhëtime, mëditje, telefona e paga ka bërë edhe kabineti i zëvendëskryeministrit, Haki Abazi.
Veç për telefon kabinetit i Haki Abazit shpenzoi 1 mijë e 141 euro, ndërkaq pagat fikse sipas të dhënave për zyrën e tij, janë 15 mijë e 663 euro.
Gjithsej, kabineti i tij ka harxhuar 16 mijë e 663 euro brenda kësaj periudhe qeverisëse.
Nga këto shpenzime nuk ka shpëtuar edhe Avdullah Hoti.
Kabineti i zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti, i cili menjëherë pas mocionit u shkarkua nga Kurti, i ka harxhuar 15 mijë e 300 euro e 15 cent.
Në gjithë këtë, për bileta janë harxhuar 432 euro, për akomodim jashtë vendit 1 mijë e 488 euro dhe për mëditje 756 euro.
Kurse sa i përket shpenzimeve telefonike nuk ka të dhëna. Ndërsa për pagat fikse janë dhënë 12 mijë e 432 euro.