Kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, në bisedimet në Uashington, sipas gazetarëve të huaj brenda Shtëpisë së Bardhë, e ka pranuar idenë e “Mini-Shengenit”, ashtu siç kjo ide ishte prezantuar në Novi Sad të Serbisë, pa pjesëmarrjen e Kosovës. Ky lajm ende nuk është i konfirmuar zyrtarisht, megjithatë kjo po përfolët nga gazetarët ndërkombëtarë që po e përcjellin këtë takim, si kompromis të arritur brenda Shtëpisë së Bardhë, i cili pritet të zyrtarizohet më vonë si marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Autoritetet kosovare e kishin refuzuar menjëherë idenë e “Mini-Shengenit”, duke argumentuar se ajo e vendosë Kosovën në pozitë të pabarabartë me shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor.
Këtë ide asokohe e kishte refuzuar edhe vetë Abdullah Hoti, ndërsa të zëshëm kundër saj kanë qenë edhe ish-kryeministri Isa Mustafa e presidenti Hashim Thaçi. Në anën tjetër, më herët vetë ambasadori Grenell kishte folur për krijimin e një zone ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, por si zonë “Mini-Shenzhen”. Zona speciale ekonomike Shenzhen është themeluar për herë të parë në maj të vitit 1980 dhe është zona e parë e veçantë ekonomike në Kinë, pas së cilës u krijuan edhe pesë zona të veçanta ekonomike.
Ndërsa, Banka Botërore, në një raport të saj kishte deklaruar se karakteristikat e zonës “Mini-Shenzhen” janë autonomia e gjerë politike dhe institucionale, partneriteti publiko-privat dhe investimet e huaja direkte. Marrëveshja që pritet të nënshkruhet sot në Uashington në mes të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, thuhet se bazë kryesore e ka pikërisht formimin e zonës ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, por ende nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për zonën “Mini-Shengen” apo për atë “Mini-Shenzhen”, ndonëse e dyta shihet politikisht edhe më e keqe se e para, pasi që “Mini-Shenzheni” si zonë ekonomike do të krijohej vetëm në mes Kosovës dhe Serbisë, pa shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor.