LAJME

Ministria e Mbrojtjes me shkelje në tenderë e punësime

Ministria e Mbrojtjes në vitin 2019 ka punësuar 56 persona pa aplikuar procedura të thjeshtëzuara të rekrutimit. Probleme me lidhjen e kontratave të përkohshme pa procedura të rekrutimit, kjo Ministri kishte pasur edhe në vitet 2014 dhe 2015, por jo me numër kaq të madh. Në vitin 2014, Auditori kishte evidentuar 4 raste kurse në vitin 2015 vetëm 3 raste.

Për kryerjen e punëve me afat të caktuar, Ministria e Mbrojtjes kishte angazhuar 56 zyrtarë me marrëveshje për shërbime të veçanta, siç njihen ndryshe me kontrata mbi vepër. Fillimisht ishin angazhuar me nga gjashtë muaj, duke ua përsëritur kontratat pandërprerë. Sipas Auditorit, në asnjë rast Ministria e Mbrojtjes nuk kishte zbatuar procedurën e thjeshtësuar të rekrutimit.

Për të punësuarit nuk ka dëshmi për të konfirmuar se njësitë kërkuese kanë parashtruar kërkesë për nevojën e angazhimit të këtyre zyrtarëve. Angazhimi i tyre nuk ka të bëjë me ekspertë të lëmisë së caktuar, por ushtrim i pozitave të rregullta.

“Kjo ka rezultuar si shkak i hapjes së pozitave të reja me ristrukturimin e ministrisë dhe shfrytëzimit të mungesës së aprovimit të pozitave nga Ministria e Administratës Publike”, thuhet në raportin e Auditorit të vitit 2019.

Sipas Ligjit për Shërbyes Civilë dhe Ligjit të Punës, organizata buxhetore mund të angazhojnë punëtorë me afat të caktuar në bazë të kontratave “Marrëveshje për shërbime të veçanta”, për më pak se gjashtë muaj.

“Ministri duhet të sigurojnë se janë marrë masa për të ndërprerë praktikën e lidhjes së kontratave pa procedura të rekrutimit dhe kohëzgjatja e këtyre marrëveshjeve të bëhet në përputhje me legjislacionin përkatës”, thuhet në rekomandimin e Auditorit në vitin 2019.

Në vitin 2019, Ministria e Mbrojtjes ka pranuar më së shumti rekomandime krahasuar me tri vitet paraprake.

Në vitin 2019, Auditori i ka dhënë Ministrisë së Mbrojtjes gjithsej 10 rekomandime, 4 më shumë se në vitin 2018, 5 rekomandime më shumë se në vitet 2015 dhe 2017 dhe 6 më shumë se në vitin 2016.

Numër të njëjtë të rekomandimeve me vitin 2019, Ministria e Mbrojtjes i kishte pranuar edhe në vitin 2014.

Angazhimi me kontratë mbi vepër në auditim të brendshëm

Përveç angazhimit të 56 personave me kontrata mbi vepër pa aplikuar procedura të thjeshtëzuara të rekrutimit, Auditori ka gjetur se edhe pse me Ligj për Auditim të Brendshëm kërkohet që auditorët të kenë statusin e shërbyesit civil, në Ministrinë e Mbrojtjes, auditorja ka qenë e angazhuar me kontratë mbi vepër.

Në Departamentin e Auditimit, zyrtarja me kontratë për shërbime të veçanta në pozitën e asistentes që nga 13 tetori i vitit 2017 është pjesë e ekipit auditues, si auditore, duke kryer auditimet e rregullta si anëtare e ekipit të auditimit.

Në raportin e auditimit thuhet se kjo ka ndodhur për shkak të mosaprovimit të pozitës nga Ministria e Administratës Publike. Gjatë periudhës sa është e angazhuar ka përfunduar programin certifikues për auditim të brendshëm.

“Ministri duhet të siguroj që pozitat e përhershme të plotësohen me vendet e lira të punës të aprovuara në ligjin e buxhetit dhe procesi i auditimit të kryhet nga stafi kompetent dhe me status të rregullt sipas kërkesave ligjore për Auditim të Brendshëm”, thuhet në rekomandimin e vitit 2019.

Katër punëtorë të Ministrisë së Mbrojtjes për më shumë se një muaj nuk kanë shkuar në punë gjatë vitit 2019.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka bërë të ditur se tre punëtorë nuk kanë shkuar në punë deri në 30 ditë, kurse një punëtor tjetër deri në 46 ditë, duke përjashtuar pushimet vjetore, mjekësore dhe festat zyrtare.

Auditori ka shtuar se me këtë është reflektuar mungesa e kontrolleve dhe mbikëqyrjes nga drejtorët e departamenteve përkatëse të punonjësve dhe neglizhimit të ardhje/vajtjes së punonjësve në punë.

Ministria e Mbrojtjes në vitin 2019 udhëhiqej nga Rrustem Berisha i AAK-së, si pjesë e Qeverisë së PAN-it.

Sipas Auditorit, mungesa e dëshmive të cilat konfirmojnë se zyrtarët të cilët paguhen nga Ministria, janë duke punuar dhe se kompensohen vetëm për punën e bërë, rrit rrezikun e kryerjes së pagesave për zyrtarë të cilët fare nuk kanë punuar si dhe sipas tyre kjo është në kundërshtim me ligjet dhe rregulloret në fuqi dhe ndikon në dëmtim të buxhetit.

Sipas Ligjit për Shërbyesit Civilë dhe sipas rregullores së Qeverisë për orarin e punës, punëtorët janë të obliguar të punojnë 40 orë në javë.

ZKA ka rekomanduar që ministri duhet që të shqyrtojë arsyet e mos vijimit në punë të zyrtarëve, ose në të kundërtën, të aplikojë ndalesat në paga për mungesën e paarsyeshme në punë.

“Ministri duhet që të shqyrtoj arsyet e mos vijimit në punë të zyrtarëve, ose në të kundërtën, të aplikoj ndalesat në paga për mungesën e paarsyeshme në punë. Në anën tjetër, në rast të përsëritjes së gjendjes, ministri të merr masat për ndërprerjen e kontratave sipas kërkesës së ligjit për Shërbyesit Civil dhe rregullores së lartë përmendur”, thuhet në rekomandimin e Auditorit të vitit 2019.

Në vitin 2019, Auditori ka gjetur mungesa të dosjes së rekrutimit për atashetë ushtarakë. Rekomandime të Auditorit për mirëmbajtjen jo të mirë të dosjeve të personelit kishte pasur edhe në vitin 2015 dhe 2016.

Auditori ka kërkuar një procedurë të rekrutimit për vitin 2019, nga tri sa ishin zhvilluar, mirëpo gjatë periudhës së auditimit, kjo nuk ishte e mundur. Sipas Ministrisë, kjo kishte ndodhur për shkak që personi përgjegjës i këtij rekrutimi ishte pensionuar dhe dosja nuk i ishte dorëzuar stafit përgjegjës.

Auditori ka evidentuar se mungesa e dokumentacioneve për proceset e ndodhura në institucion rrit paqartësitë lidhur me ligjshmërinë e angazhimit të tyre në detyrat dhe përgjegjësitë zyrtare.

Sipas rregullores për shërbimin e atasheve të mbrojtjes, te planifikimi, kushtet dhe procedurat e përzgjedhjes, shpjegohen procedurat e rekrutimit dhe përzgjedhjes së atasheve për mision diplomatik.

“Ministri duhet të siguroj që proceset e ndodhura brenda institucionit të dokumentohen dhe të njëjtat të ruhen sipas afatit të përcaktuar në Rregulloren e nxjerrë nga Ministria e Mbrojtjes Nr.06/2019 për menaxhimin zyrtar të dokumenteve dhe mënyrën e shfrytëzimit të materialit arkivor në arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes”, thuhet në rekomandimin e Auditorit për vitin 2019.

Dobësitë në menaxhimin e kontratave

Nga viti 2014 deri në vitin 2018, në Ministrinë e Mbrojtjes (atëherë Ministria e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës), Auditori ka gjetur vonesa në procedurat për vlerësimin e tenderëve, në publikimin e ‘njoftimin për dhënie të kontratës’ dhe vonesat në hapje të ofertave, probleme në hartimin e specifikacioneve teknike dhe moskonfiskimin e sigurimit të ekzekutimit.

Këto probleme nuk janë përsëritur në raportin e auditimit të vitit 2019. Auditori ka gjetur probleme të reja sa i përket fushës së prokurimit në Ministrinë e Mbrojtjes, mungesë të raporteve nga menaxherët e kontratës dhe kontrolle jo efektive në prokurim.

Në raportin e auditimit të vitit 2019 thuhet se Ministria ka bërë pagesën në vlerë prej 65 mijë euro për “Shërbimet e mirëmbajtjes së objekteve të FSK-së” dhe pagesën në vlerë 245 mijë euro për “Ushqim dhe pije për kazermat e FSK-së” dhe se zyrtari kryesor administrativ ka emëruar menaxherët e kontratave për përcjelljen e procesit të mirëmbajtjes së objekteve dhe furnizimit me ushqim, por menaxherët e projekteve nuk kanë dorëzuar raporte për progresin e furnizimeve sipas specifikave të kontratës.

Njëra ndër përgjegjësitë e menaxherit të projektit është dorëzimi i raporteve mbi progresin e projektit ose kompletimin e një kontrate, siç kërkohet nga Departamenti i Prokurimit ose nga zyrtari kryesor administrativ.

Auditori ka shtuar se kjo ka ndodhur si shkak i mospërmbushjes së detyrave nga menaxherët e kontratave.

“Ministri duhet të siguroj që menaxherët e projektit hartojnë raporte periodike mbi progresin e projektit, por edhe raport përfundimtar për kompletimin e kontratës, përkatësisht marrjes së shërbimeve dhe të arsyetojnë kryerjen e pagesave nga ministria”, thuhet në rekomandimin e Auditorit në vitin 2019.

Përveç mosdorëzim të raporteve nga menaxherët e kontratave, në vitin 2019, Auditori ka gjetur edhe kontrolle joefektive në procesin e prokurimit. Kjo kishte ndodhur në një kontratë trevjeçare për shkollimin e kadetëve të FSK-së në Universitetin Amerikan të Kosovës. Ministria kishte vazhduar të merrte shërbime nga operatori ekonomik edhe pse kontrata kishte skaduar.

Ministria e Mbrojtjes kishte një kontratë kornizë trevjeçare me Universitetin Amerikan të Kosovës për “Shkollimin e kadetëve të QSU-se për nevojat e FSK-së” të nënshkruar më 26 shtator 2016. Kontrata ishte realizuar në tërësi sipas kushteve paraprake të marrëveshjes. Por, edhe pas skadimit të kësaj kontrate, nga muaji korrik deri në shtator 2019, Ministria kishte vazhduar me porosinë e shërbimeve të njëjta ndaj operatorit, siç ishin: testimi i kandidatëve për njohuritë e gjuhës angleze – niveli TOEFL, regjistrimi i kadetëve në programet arsimore dhe furnizimi i tyre me tekste shkollore.

Auditori ka gjetur se këto shërbime nga ana e operatorit ishin kryer në mirëbesim pa ndonjë kontratë valide, në mënyrë që të mos ndërpritej shkollimi i kadetëve. Ministria me të njëjtin operator kishte negociuar kontratë të re, e cila ishte nënshkruar më 20 dhjetor 2019, po ashtu për një periudhë trevjeçare, me vlerë prej 932,142 euro.

Shërbimet e porositura dhe të kryera gjatë periudhës korrik-shtator, ishin faturuar dhe paguar në shumën prej 165,754 euro, sipas çmimeve referente të kontratës së dytë, pasi ishte lidhur kontrata.

“Kjo kishte ndodhur për shkak se Ministria e Mbrojtjes nuk kishte ndërmarrë asnjë procedurë për të vazhduar kontratën, edhe pse menaxheri i kontratës përmes një shkrese zyrtare ka njoftuar departamentin e prokurimit se kontrata skadon në muajin shtator 2019”, thuhet në raportin e auditimit.

Në Ligjin për Prokurim Publik thuhet se asnjë kontratë publike kornizë nuk do të ketë kohëzgjatje më shumë se 36 muaj. Po ashtu në ligj theksohet se kontrata publike kornizë nuk mund të zgjatet apo ripërtërihet dhe kushtet e saj nuk mund të ndryshohen.

Ndërsa, sipas Rregullës Financiare, asnjë detyrim për pagesë nuk zbatohet nëse për të njëjtin nuk ekziston një dokument, marrëveshje apo aranzhim në bazë të cilit rezulton lindja e atij detyrimi.

“Për të shmangur mundësinë e diktimit të çmimeve nga operatorët, Ministri duhet të vendos kontrolle më efektive në procesin e prokurimit dhe të përmirësoj komunikimin në mes zyrtarëve të përfshirë në proces, në mënyrë që procedurat e prokurimit të jenë konsistente me rregulloret, dhe jo së pari të pranohen shërbimet, e më pas të bëhen Kontrata”, thuhet në rekomandimin e Auditorit për vitin 2019.

Rritja e borxhit

Lakorja e borxhit të Ministrisë së Mbrojtjes ndaj furnitorëve kishte rënë vazhdimisht nga viti 2015 deri në vitin 2018. Por në vitin 2019 ky borxh ka shënuar përsëri rritje.

Në vitin 2015 ky borxh kishte vlerën 542,583 mijë euro kurse në vitin 2018 ky borxh kishte rënë në 169,304 euro. Borxhi i Ministrisë së Mbrojtjes ishte zvogëluar për 373,279 euro.

Borxhi i Ministrisë së Mbrojtjes në vitin 2019 është 203,744 euro apo 34,440 euro më shumë se në vitin 2018. Sipas Auditorit, këto detyrime i përkasin padive gjyqësore, 79,379 euro janë obligime që i përkasin Ministrisë së Mbrojtjes dhe 124,395 euro janë të bartura nga ish-TMK. Edhe pse ligjërisht Ministria nuk është bartëse e obligimeve të tyre, paditë janë të faturuara për Ministrinë. Këto detyrime kanë të bëjnë me paditë që i janë bërë Ministrisë nga të dëmtuarit potencialë fizikë dhe juridikë, duke përfshirë pagat jubilare, dëmet e shkaktuara në punë, kompensim borxhi për punë ndërtimore, kompensim borxhi për furnizim me karburante dhe të ngjashme.

Derisa borxhi i Ministrisë së Mbrojtjes në fund të vitit 2014 sipas raporteve te prezantuara në thesar ishte 421,363 euro.

Pasqyra e detyrimeve të papaguara ndaj furnitorëve në fund të vitit 2015 ishte 542,583 euro. Këto detyrime janë bartur për t’u paguar në vitin 2016.

“Pjesa me e madhe e tyre ndërlidheshin me mungesën e zotimit të mjeteve dhe vonesave në pranimin e faturave”, thuhet në raport.

Vlera e obligimeve të shpalosura në Pasqyrat Vjetore Financiare e vitit 2016 ishte 462,578 euro. Këto obligime janë bartur për t`u paguar në vitin 2017. Në raport me vitin 2015, Ministria e Mbrojtjes ka treguar progres në menaxhimin e faturave të papaguar, duke reduktuar obligimet në fund të vitit për 17%.

Vlera e obligimeve ishte 196,066 euro, dhe se këto obligime janë bartur për t’u paguar në vitin 2018. Në raport me vitin 2016, Ministria e Mbrojtjes ka treguar progres në menaxhimin e faturave të papaguara.

Ministria e Mbrojtjes ka shpalosur obligimet e papaguara në PVF-të për vitin 2018 nё përputhje me Rregullën Financiare për Raportimin e obligimeve të papaguara. Vlera e obligimeve ishte 169,304 euro. Mallra dhe Shërbime janë 105,708 euro, ndërsa Komunali janë 63,596 euro.

“Këto obligime janë bartur për t`u paguar në vitin 2019. Shkaku për mbetjen e këtyre obligimeve është se pjesa më e madhe e faturave kanë ardhur në muajin dhjetor të vitit 2018”, thuhet në raportin e auditimit për vitin 2018.

KALLXO.com ka shkruar për dobësitë dhe problemet e Ministrisë së Mbrojtjes në vitet paraprake. Në raportin e vitin 2018, Ministria e Mbrojtjes kishte pasur më së shumti gjetje në fushën e prokurimit. Ndërsa në vitin 2017, kjo Ministri ka pasur numër të ulët të rekomandimeve të zbatuara edhe pse ka qenë njëra ndër institucionet që ka pranuar më së paku rekomandime nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

LEAVE A RESPONSE