MSh pranon një donacion prej 150 mijë euro nga “Novartis Pharma Services Inc Tirana”, për luftimin e COVID-19
Me qëllim të ndihmesës së institucioneve të shëndetësisë në përballimin e barrës së shkaktuar nga emergjenca e shëndetit publik COVID-19, përmes llogarisë së dedikuar në Kosovë për COVID-19, Ministria e Shëndetësisë ka pranuar nga “Novartis Pharma Services Inc.” (Zyra përfaqësuese në Tiranë) donacion shumën prej 150,000.00€.
“Ky donacion i dedikohet vetëm blerjes së pajisjeve dhe materialeve mjekësore për përballimin e situatës së krijuar nga COVID-19, sipas kërkesës së SHSKUK-së për nevoja të Klinikës Infektive dhe qendrave të tjera për luftimin e COVID-19. Donacioni është bërë sipas një marrëveshjeje të nënshkruar më 21 prill 2020 midis MSh-së dhe “Novartis Pharma Services Inc.”, sipas së cilës shuma e dhuruar nuk përmban asnjë detyrim për përfituesin që të përshkruaj, furnizoj, administroj, rekomando dhe/ose të blej produkte farmaceutike Novartis dhe nuk është një shpërblim për ndonjë vëllim, vlerë ose referencë në të shkuarën apo për të ardhmen e biznesit”, thuhet në njoftimin për media.
MSh falënderon “Novartis Pharma Services Inc”për kontributin në përballimin e COVID-19 në Kosovë. /Telegrafi/