Nga: Genc Nimoni
Tashmë jemi mësuar jo vetëm me ditët e Kushtetutës, kur kujtojmë hartimin dhe hyrjen e saj në fuqi. Kemi filluar të mësohemi me javët e muajt e interpretimit të Kushtetutës, e besa edhe më gjatë. Ajo nuk interpretohet vetëm nga ata që do të duhej ta bënin atë, pra nga ekspertët – gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese.
Si duket sfidën më të madhe Gjykata Kushtetuese vazhdon ta ketë nga vetë përmbajtja e Kushtetutës sonë, e gjithashtu nga vendimet e mëparshme të po kësaj gjykate, shtyrë nga goditjet (zhvillimet) politike.
I.
Nuk është vetëm pandemia COVID-19 ajo që trazoi qytetarët ditëve të fundit. Në gjendje karantinore në shtëpitë e tyre, qytetarët u tronditen nga ngjarje të njëpasnjëshme politike. E filluan diskutimi e mospajtimi i presidentit dhe kryeministrit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, që i kontribuoi shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme Veliu dhe kontestimi i një vendimi të Qeverisë për kufizimin e lëvizjes, e i cili shqetësim qytetar dhe tension politik kulmoi me votimin e suksesshëm të rrëzimit të Qeverisë (mocioni i mosbesimit). Ndërkohë qytetarët protestuan nga ballkonet e tyre, me zhurmën tashmë çdoditore, por që nuk e dëgjonin ata që planifikonin votimin.
Për gati 12 orë diskutimesh në Kuvend, kryesisht ndërmjet partnerëve qeverisës LVV dhe LDK, qytetarët u maltretuan duke dëgjuar etiketimet e ndryshme ofenduese ndërmjet deputetëve në Kuvend, fajësime të ndërsjella dhe shumë zhurmë që rezultoi vetëm më një votim 5-minutësh dhe rrëzim të Qeverisë. Të lodhur nga karantina tashmë shumëditore dhe nga frika e përhapjes së sëmundjes, qytetarët vazhdojnë të kenë paqartësi të mëdha për situatën dhe Kushtetutën, të shtyrë edhe nga interpretime të shumta, të cilat më me dëshirë nuk do t’i dëgjonin këto ditë.
II
Tashmë të gjithë janë drejtuar nga interpretimi i neneve të Kushtetutës, nenit 82 dhe atij 95, njëri për shpërndarjen e Kuvendit (82) derisa tjetri për zgjedhjen e Qeverisë (95). E interpreton presidenti e kryeministri, ish-gjykatës kushtetues, ekspertë e njohës e gjithashtu, e interpretojnë militantë apo tifozë të shumtë politikë. Derisa presidenti bazohet në atë 95, kryeministri përjashton të tërin, duke bërë thirrje për zbatim të nenit 82 (shpërbërja e Kuvendit). Presidenti ka filluar t’i thërrasë në takime konsultuese me liderët politikë, në tentim të një zgjidhjeje.
Në këtë pikë situata nuk mund të jetë e njëjtë tani me atë që ishte menjëherë pas rezultatit zgjedhor, ende pa u formuar Qeveria. Nuk mund të jetë e njëjtë si me atë të paszgjedhjeve (ende pa u formuar Qeveria) kur presidenti ka një rol aktiv dhe thërret në konsultime partitë politike, sepse tashmë kemi një mosbesim ndaj Qeverisë së sapoformuar, të shkarkuar po në Kuvend. Edhe në këtë pikë Kushtetuta jonë duket se çalon, njëjtë qysh nuk cakton një afat për kandidatin nga partia/koalicioni i parë dhe shumë lehtë mund të gjendemi para një situate bllokuese, të cilën Gjykata Kushtetuese do të duhej sqaruar në frymën kushtetuese.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës sot numëron 162 nene, dhe nuk është hera e parë që has në vështirësi interpretimi. Njëri ndër interpretimet më të shënuara ishte ai i vitit 2014, në të cilin Gjykata Kushtetuese kishte tentuar të vendoste një standard respektues lidhur me formimin e institucioneve duke e betonuar të drejtën për fituesin, partinë apo koalicionin e parë të dalë nga zgjedhjet. Ishte kritikuar shumë, me e pa të drejtë, mirëpo në arsyetimet e tij ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se përmes këtij vendimi Gjykata kishte tentuar të vendoste një standard respektues për Kushtetutën, duke parandaluar “krijimin e formulave qeverisëse dhe shumicës parlamentare nëpër kafene”.
Si duket kjo do të jetë sfida më e madhe e gjykatës tani, ta respektojë atë standard, apo ta ndryshojë atë, të cilin ish-kryetari Hasani e sheh në dy mënyra: 1. Duke amendamentuar Kushtetutën, apo 2. Duke nxjerrë një aktgjykim të ri më të cilin gjykata vendos një standard të ri. Prapë sfiduese, që kërkon kredibilitet dhe profesionalizëm të gjykatësve kushtetues.
III.
Mirëpo sa gëzojmë kapacitete profesionale dhe kredibile si gjykatë dhe gjykatës tani, për të vendosur për shumë çështje kontestuese kushtetuese, shumë prej të cilave nuk janë të përfshira në Kushtetutë. Ato kërkojnë interpretimin në frymën kushtetuese.
Gjykata Supreme e ShBA-së konsiderohet ndër institucionet me kredibile në ShBA dhe më gjerë dhe e cila ndër kompetencat kryesore vazhdon ta ketë interpretimin e Kushtetutës dhe ruajtjen e saj për më shumë se 230 vjet. Edhe pse me vetëm 7 nene dhe 27 amendamente, Kushtetuta e ShBA-së ende mbetet ajo e vitit të largët 1789 dhe njëra ndër arsyet është kredibiliteti dhe profesionalizmi i kësaj gjykate.
Ndër vendimet më të shënuara të saj është ai në rastin e njohur si Marbury v. Madison i vitit 1803. Vendimi i tillë jo vetëm që definoi dhe qartësoi kompetencat e ndara ndërmjet pushteteve, mirëpo konfirmoi rëndësinë dhe kredibilitetin e një gjykate si gardian i respektimit të Kushtetutës i cili kredibilitet dhe përgjegjësi, vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Pavarësia, integriteti, profesionalizmi dhe kredibiliteti janë ndër parimet thelbësore të cilat duhet t’i ketë një gjykatës për të cilat kanë nevojë gjykatësit tanë dhe Gjykata Kushtetuese. Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese sot në përbërje ka edhe zyrtarë të dikurshëm të devotshëm dhe mjaft aktivë të partive politike (me përjashtime). Se a i kontribuon kredibilitetit dhe profesionalizmit të Gjykatës kjo, përgjigjja është natyrisht se jo.
Duke folur për rolin dhe rëndësinë e punës së një gjykatësi, standardet interpretuese etj., Aharon Barak, gjykatës në Gjykatën Supreme të Izraelit, në librin e tij “The Judge in Democracy” përmend tri parakushte thelbësore për një gjykatës dhe sisteme demokratike 1. Paanshmëria dhe objektiviteti gjyqësor, 2. Vendimet brenda konsensusit shoqëror, si dhe 3. Besimi i publikut në gjyqësor. Përkundër mijëra mendimeve të tij profesionale dhe kredibile në vendimet gjyqësore gjatë 26 vjetëve eksperiencë, gjykatësi Barak më të drejtë shtron pyetjen: “A jam unë një gjykatës i mirë?”, duke aluduar në rëndësinë e misionit të një gjykatësi.
Sa kemi gjykatës të tillë në Republikën e Kosovës e gjithashtu në Gjykatën Kushtetuese. Unë besoj se kemi të tillë, mirëpo të jemi realistë, kemi edhe të tillë për të cilët kam drojë se vërtet kuptojnë disa standarde e parime bazë të interpretimit, qoftë për doktrinën e pyetjeve politike, testin e proporcionalitetit apo edhe parimet e ndarjes së pushteteve.
IV
Të gjendur para një situate të rëndë shëndetësore e të skandalizuar politike, qytetarët më të drejtë kanë shumë pikëpyetje e paqartësi. Paqartësi ka edhe vetë kasta politike, që na solli në një gjendje pa qeveri. Paqartësitë mbeten edhe në aspektin kushtetues.
Vendimi i shumëkomentuar atëherë i Gjykatës Kushtetuese (rasti VLAN) është bërë shumë aktual edhe sot.
Përballë një shumice parlamentare përherë ekzistuese në njërën anë, një vendimi që blindon të drejtën e partisë/koalicionit të parë të dalë nga zgjedhjet për të formuar institucionet, në anën tjetër, dhe gjithashtu mungesës së dispozitave konkrete në Kushtetutë, të cilat do të lehtësonin ngërçet e shumta kushtetuese, Gjykata Kushtetuese me gjasë duhet të veprojë.
Kosova është Republikë parlamentare dhe në aspektin rregullativ dhe kushtetues në të ardhmen do të duhej synuar një standardizim të shumicës parlamentare. Pra, standardizim në aspektin kushtetues, i cili do të duhej të përjashtonte ndonjë shumicë parlamentare të krijuar brenda natës në qoshet e kafeve dhe çajtoreve të cilat më shumë i përngjajnë një pazari dhe interesi klanor sesa një vullneti e qëllimi parimor. Standardi i një shumice të tillë të cilin duket se nuk e kemi sot, duhet të përmbajë rregulla përmes së cilave përmbushet vullneti kuptimplotë i shumicës.
Sa i përket dilemës aktuale nëse duhet të ketë një qeveri e re duke anashkaluar partinë/koalicionin e parë të dalë nga zgjedhjet, konsideroj se nuk do të duhej përjashtuar fituesi dhe jo më të drejtë partneri tjetër qeverisës mund të kërkojë një shumicë të re pa shfrytëzuar këtë të drejtë subjekti i parë, standard ky në fuqi i vendosur nga Gjykata Kushtetuese. Tutje mbetet çështje tjetër një qeveri teknike apo gjithëpërfshirëse me pajtimin e të gjithëve.
Ende mbetet e paqartë nëse do ta kemi një qeveri teknike apo gjithëpërfshirëse siç pretendojnë disa nga përfaqësuesit e subjekteve politike, përfshirë presidentin, apo do të kemi zgjedhje siç kërkon partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit.
Sidoqoftë, qytetarëve të cilët më të drejtë nuk i donin këto zhvillime, kundër të cilave edhe kishin protestuar në një formë jo të zakontë (karantinë), një gjë u mbetet e qartë dhe e sigurt tani – frika nga përhapja e sëmundjes globale COVID-19 dhe gjithashtu dëshpërimi që vazhdojnë ta kenë nga ngjarjet politike në vend.
Autori është menaxher i programit për sundim të ligjit dhe demokratizim në organizatën “Çohu”. Aktualisht është në studime për sundim të ligjit dhe qeverisje demokratike në Ohio Norrhern University në ShBA.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.