LAJME

Murati: Në emër të Serbisë po na poshtërojnë njerëz që janë bartës të institucioneve të Kosovës

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka reaguar pas vendimit të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, që të aplikojnë kufizimin e lëvizjes, konform me rekomandimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Murati, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “në emër të Serbisë ky poshtërim e nënçmim ndodh nga njerëz që janë bartës të institucioneve të Kosovës dhe institucione që formalisht janë të Kosovës”.

“Serbia dhe komunat në veri të Kosovës nuk do të lënë mundësi pa shfrytëzuar pa e poshtëruar dhe nënçmuar republikën tonë. Dhe në emër të Serbisë ky poshtërim e nënçmim ndodh nga njerëz që janë bartës të institucioneve të Kosovës dhe institucione që formalisht janë të Kosovës”, ka shkruar Syla, përcjell Telegrafi.

“Tash paramendoni se çfarë do të ndodh kur të themelohet asociacioni, apo edhe ndonjë autonomi politiko-territoriale për serbët. Rruga për të dal nga kjo situatë dihet, kthimi tek ajo që po e proklamojnë si ‘projekt i vdekur’. Vetëm ripërcaktimi i kufijve e zgjedh problemin në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Më tej Syla ka thënë se “të gjitha variantet tjera, janë vazhdimi i vuajtjeve tona dhe vazhdim i poshtërimit të republikës sonë në veri të vendit”.

“Përndryshe siç e kam theksuar edhe më herët, çdo jetë njeriu të ruhet është e rëndësishme në këto momente dhe bashkëpunimi në luftën kundër pandemisë do të duhej të ishte normalitet në mes të popujve e shteteve. Por Serbia nuk e lë pa dërguar mesazhe politike edhe në këto situata. E qeveritë tona fatkeqësisht çdoherë gjenden të befasuara nga këto mesazhe e veprime”, ka shkruar Murati.

Reagimi i Muratit  vjen pas vendimit të Shtabit të Krizës së katër komunave në veri të Kosovës për karantinimin e katër komunave dhe vendosjen e ndalimit të lëvizjes nga 21:00 deri në 5 të mëngjesit, në javën e ardhshme.

Lajmin për këtë e bëri të ditur zëvendëskryeministri i Kosovës, Goran Rakiq në emër të anëtarëve të Shtabit të Krizës në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp. /Telegrafi/

LEAVE A RESPONSE