LAJME

Murati: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në funksion të stabilitetit politik

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka komentuar vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ky vendim është edhe në funksion të stabilitetit politik.

Murati tha se GjK,  duke e pezulluar dekretin e Thaçit për krijimin e qeverisë së re, ka marrë një vendim të duhur dhe të pjekur në planin e stabilitetit politik dhe të legjitimitetit të institucioneve ekzekutive.

“Ky vendim mund të zgjas krijimin e institucioneve të reja, por mund të ndikojë në qetësimin e gjakrave dhe vendosjen e procesit të mospajtimeve politike në rrugë krejtësisht institucionale. Nuk është se kam shpresë se qeveria e re e cila është në proces të krijimit do të sjell diçka të re në jetën tonë politike, sidomos duke qenë se qëndrimet për dialogun me Serbinë i ka rigjide sikur të gjitha qeveritë paraprake, por kam bindjen e plotë se në planin kushtetues është krejtësisht legjitime. Sidoqoftë edhe për këtë çështje le të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, shkruan Murati.

Murati tha se duhet të mësohemi që vendimet e Kushtetueses t’i pranojmë, na pëlqyen apo jo ato.

“Të mësohemi t’i pranojmë ato vendime edhe kur na pëlqejnë e edhe kur nuk na pëlqejnë. E pastaj edhe protestat janë mjete të pranueshëm politike, përderisa mbesin paqësore dhe nuk synojnë krijimin e anarkisë, destablitetit e konflikte që mund të çojnë në përplasje civile. Protesta paqësore jo kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese por në funksion të objektivave legjitim politik. Ky është parakusht për funksionimin bazik të një shteti që bazohet në sundim të ligjit dhe ndarje të pushteteve”, shkruan ish-ministri i Diasporës.

Gjykata Kushtetuese vendosi sot, masë të përkohshme deri më 29 maj duke pezulluar deri në një vendim të plotë dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër.

Thaçi dekretoi Avdullah Hotin të enjten, menjëherë pas kësaj, Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Thaçit dhe duke kërkuar vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e zbatimit të dekretit./Telegrafi/

LEAVE A RESPONSE